Qeveria premton rritje në buxhetin e vitit të ardhshëm për arsimin. Propozim-buxheti për vitin 2025 nuk është publikuar akoma në tërësi dhe me detaje megjithatë, sipas Ministrisë së Financave, pritet rritje e bllok dotacioneve të komunave për arsim në vlerë prej 2.5 miliard denarë, shkruan Alsat.

Në mënyrë plotësuese, 2 miliard denarë janë paraparë për rritjen e rrogave në arsim për 7% nga marsi i vitit të ardhshëm.

Zv.ministri i Arsimit Lulzim Aliu, për Alsat, deklaroi se buxheti parashikon mjete edhe për investime kapitale për përmirësimin e kushteve në arsim, pa precizuar se në cilat shkolla do të bëhen investimet. Ai thotë se do të ketë mjete edhe për rritjen e vlerës së shujtave studentore.

“Unë do të shfaq kënaqësinë time për shkak se parashihet rritje e rrogave, parashihet rritje edhe e investimeve kapitale të cilat kanë të bëjnë kryesisht edhe me përmirësimin e infrastrukturës shkollore, ka rritje te përmirësimi i standardit studentor meqë aty rritet edhe çështja e shujtave të studentëve dhe është rritur edhe numri i përfituesve të bursave të nxënësve dhe të studentëve”, tha Lulzim Aliu, zv.ministër i Arsimit.

Aliu në Alsat foli edhe për problemin e nxënësve në Moranë të Komunës së Studeniçanit. Zv.ministri ishte në të njëjtën linjë me ministren e Arsimit duke thënë që bojkotimi i mësimit është në interes të individëve të caktuar dhe që prindërit do të mbajnë përgjegjësi.

“Unë mendoj se nisma që ka të bëjë me mëvetësimin ose themelimin e një subjekti të ri shkollor nuk udhëhiqet nga interesi i nxënësve por udhëhiqet nga interesi i individëve të caktuar. T’i nxjerrësh nxënësit nga bankat e shkollave është mëkat më i madh se sa synimi tjetër… Në shkurt të 2024 nga Ministria e Financave e cila drejtohej në atë kohë prej Fatmir Besimit është sjell vendim që të mos hapet. Pra, procedura që është nisur prej prindërve dhe prej shkollës, prej Komunës së Studeniçanit, prej Ministrisë së Arsimit.

Ju po thoni se Fatmir Besimi s’ka dhënë pëlqim për themelimin e shkollës?

Po.

Por, tani Fatmir Besimi është në opozitë, ju jeni në pushtet. Pse nuk ndryshoni vendimin?

Tani duhet ripërsëritur sërish kërkesa.

A ka përgjegjësi për prindërit në këtë rast?

Sigurisht se ka. Por ato masa do të duhet fillimisht t’i marrë drejtori i shkollës atje”, theksoi Lulzim Aliu, zv.ministër i Arsimit.

Mbi 450 nxënës të Shkollës Fillore periferike “Naim Frashëri” të fshatit Moranë të Shkupit, për disa javë radhazi mbeten jashtë bankave të tyre shkollore. Prindërit kërkojnë mëvetësimin e kësaj shkolle nga shkolla qendrore e fshatit Studeniçan.

Kërkesa për ndarjen e shkollës sipas banorëve ka nisur që nga vitin 2014 dhe e njëjta i plotëson të gjitha kushtet për të funksionuar si shkollë më vete. Ndërsa shkaku i kërkesës për mëvetësim sipas banorëve, është mos investimi në këtë objekt nga ana e komunës./ Alsat.mk