Tesla ka dominuar në mesin e prodhuesve të automjeteve në botë me një kapital tregu prej 1,37 trilion dollarësh, ndërsa prodhuesit kinezë të makinave kanë rritur konkurrencën e tyre.
Kompania e automjeteve elektrike (EV) e miliarderit Elon Musk aktualisht kryeson listën e 50 prodhuesve më të vlefshëm të automjeteve në botë, sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu nga faqja e internetit companymarketcap.com.
Prodhuesi japonez i makinave Toyota pasoi Teslën me 240 miliardë dollarë, e cila u pasua më pas nga firmat kineze Xiaomi dhe BYD respektivisht me 111,9 miliardë dhe 110,1 miliardë dollarë.
Ndërsa shumica e të ardhurave të Xiaomit vijnë nga një mori produktesh të ndryshme teknologjike që prodhon firma, kompania kineze njoftoi se do të nisë prodhimin e automjeteve elektrike në vitin 2021 dhe lançoi makinën e saj sportive elektrike me bateri, SU7, vitin e kaluar.
Prodhuesit evropianë të makinave Ferrari, Porsche dhe Mercedes-Benz ndjekin markat kineze me kapital tregu prej 78,2 miliardë dollarë, 58,4 miliardë dollarë dhe 57.7 miliardë dollarë, respektivisht.
Ndërkohë, General Motors është në vendin e tetë me 56 miliardë dollarë, e ndjekur nga BMW me 52,4 miliardë dollarë dhe Volkswagen me 50,7 miliardë dollarë.
Prodhuesit turq të automjeteve u renditën gjithashtu në top 50, pasi Ford Otosan u rendit i 38-ti me 9,1 miliardë dollarë dhe Tofas i 47-ti me një kapital tregu prej 3 miliardë dollarësh.
– Markat kineze në rritje
Industria e automjeteve në mxbarë botën po kalon një tranzicion masiv me rritjen e automjeteve elektrike. Lojtarët e shquar në industrinë e automjeteve ende përfshijnë marka që prodhojnë makina me benzinë, por një gjeneratë e re e prodhuesve të automjeteve me investime të mëdha në prodhimin e automjeteve elektrike gjithashtu ka dalë në plan të parë.
Kalimi në makina elektrike po e ndryshon rrënjësisht shkallën e konkurrencës në industrinë globale të automjeteve, me gjigantët tradicionalë të prodhuesve të makinave që përpiqen të ruajnë tregun e tyre me modele inovative EV dhe madje edhe makina vetëdrejtuese, ndërkohë që markat kineze po rrisin konkurrencën e tyre.
Ndër 50 prodhuesit kryesorë të automjeteve, 17 prej tyre janë kinezë. Lista përfshin tetë prodhues makinash japoneze, gjashtë amerikane, katër gjermane dhe tre indiane.
Koreja e Jugut, Suedia, Türkiye dhe Tajvani kanë secila nga dy prodhues makinash në top 50, ndërsa Franca, Italia, Holanda dhe Vietnami kanë secila vetëm nga një.