Në mbledhjen e Qeverisë u miratua vendim me të cilin vihen në dispozicion për ekonominë 250 milionë euro për investime dhe zhvillim të kompanive vendase.

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi tha se kjo shumë historikisht më e madhe deri më tani vihet drejtpërdrejt në dispozicion të ekonomisë dhe paraqet vendimin e parë me një shumë të tillë që shteti ka siguruar për ekonominë, kompanitë dhe firmat vendase.

Durmishi tha se këto mjete kompanitë do të mund të përdorin me norma interesi super të ulëta, për kushtet e sotme të tregut.

“Këto mjete janë nga linja kreditore hungareze, ndërsa metodologjia sipas së cilës këto mjete do të jenë të disponueshme për kompanitë do të zhvillohet përmes Ministrisë së Financave e cila, me qëllim krijimin e linjës kreditore për financimin e investimeve dhe zhvillimin e shoqërive tregtare private, ka miratuar një hua pa interes për Bankën për Zhvillim në shumë prej 250.000.000 euro.

Banka për Zhvillim do t’i vërë në dispozicion bankave pjesëmarrëse këto mjete përmes një Marrëveshjeje Kornizë për Pjesëmarrje, me qëllim financimin e investimeve dhe zhvillimin e subjekteve tregtare private të regjistruara në Regjistrin Tregtar. Afati maksimal është ai që u përmend, deri në 15 vite, duke përfshirë një grejs periudhë deri në 3 vite për bankat pjesëmarrëse. Data përfundimtare është 15 vite nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Huamarrjes”, tha ministri i Ekonomisë Besar Durmishi.

“Bankat do të miratojnë kreditë për përfituesit përfundimtarë, ku mjetet mund të përdoren për: Investime në asete fikse. Përfituesi përfundimtar është i detyruar të kontribuojë me minimum 20% të vlerës së investimit. Norma e interesit vjetor mbetet 1.95%, siç është tashmë e njohur për opinionin vendor, pa tarifa shtesë për miratim, menaxhim apo shlyerje të parakohshme të kredisë. Shuma maksimale e kredisë do të jetë deri në 10 milionë euro në kundërvlerë denarësh”, shtoi Durmishi.