Numri një i sindikatës, Sllobodan Trendafilov, duke iu përgjigjur akuzave të Qeverisë, kryeministrit dhe punëdhënësve, ka thënë se llogaritja e shportës konsumatore është për të gjithë vitin, që do të thotë se mesatarisht blihen rreth tre kilogramë qershi, që sipas përllogaritjes, është 10 gramë në ditë ose dy qershi. Për Nescafen, llogaritja thotë se një kanaçe 250 gramësh në muaj jep një kafe në ditë dhe kjo nuk është luks, siç pretendon Mickoski dhe Qeveria.
Deri në fund të muajit shkurt pritet të jetë gati metodologjia e re për përllogaritjen e harxhimeve minimale për një familje. Me fjalë tjera, pasi Qeveria dhe kryeministri Hristijan Mickoski kontestuan metodologjinë e shportës sindikale, ajo është kontestuar edhe nga punëdhënësit, të cilët kanë kërkuar që kjo përllogaritje të bëhet nga një institucion i pavarur nën mbikëqyrjen e shtetit. Ata akuzuan Sindikatën se ka llogaritur një shportë që ishte dy herë më e madhe se ajo reale. Sindikata nga ana tjetër, përkundër kundërshtimit, do të vazhdojë ta përllogarisë shportën e saj sindikale si deri tani. Sipas sindikalistëve, shporta minimale e sindikatës pasqyron nevojat reale të një familjeje katër anëtarësh dhe ato janë në dispozicion të shtetit, nëse është e nevojshme, për të transferuar një pjesë të njohurive të tij në lidhje me llogaritjet.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi tha se është mbajtur një mbledhje në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, por se do të pasojnë edhe disa të tjera, pas së cilës metodologjia e re do të prezantohet në seancën e Këshillit Ekonomik dhe Social. Sipas Durmishit, në shportën e konsumit të Sindikatës ka produkte që nuk duhet të jenë pjesë e shportës bazë të konsumit.
“Patëm të hënën një takim në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës ku ishin përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Bujqësisë, Doganat, Enti Shtetëror i Statistikave dhe Inspektorati i Tregut. Ishte takimi i parë për të krijuar një metodologji të re për matjen e shportës minimale të konsumatorit, sepse në shportën e konsumit të Sindikatës ka produkte që nuk përkasin atje. Kanë shumë produkte të pakonsumueshme që vendosen aty si Nespresso dhe çmimet janë marrë nga blerjet online. Duhet të marrim çmimet nga tre dyqane dhe të marrim një çmim mesatar”, tha Durmishi.
Lidhur me atë pse reagon për metodologjinë e shportës minimale konsumatore, kryeministri Mickoski u përgjigj se shporta konsumatore për herë të parë është vendosur në vitin 2010, kur Qeverinë e kryesonte VMRO-DPMNE-ja.
“Kështu që unë nuk do ta ndaja periudhën kur ishim në pushtet apo në opozitë dhe nuk do të doja ta ulja bisedën në atë nivel, dhe sa i përket ndryshimit të metodologjisë së re nga dhjetori i vitit 2023, nuk e kemi pasur në dorë. Pasi e morëm në dorë, fillimisht kemi biseduar me sindikatat. Ne nuk dolëm në publik për të gjitha këto për të bërë një shfaqje të saj. Kemi folur me Sindikatat dhe kur sheh brenda se çfarë produktesh janë përfshirë, atëherë vërtet ngatërrohesh. Duket konfuze, sepse disa nga produktet nuk shfrytëzohen nga qytetarët ose nuk përdoren në atë masë”, tha Mickoski, ndërsa tha se akoma nuk e di se çfarë do të përmbajë shporta e ardhshme konsumatore.
“Ndoshta do të jetë më e madhe, domethënë çmimet do të jenë më të larta. Por realisht të krijojmë një shportë të tillë konsumatore, e kam fjalën për një shportë minimale, të cilën qytetarët realisht e përdorin, sepse nuk mendoj se kjo është një shportë minimale konsumatore”, shtoi Mickoski. Sipas tij, është e diskutueshme që shporta e konsumit përveç produkteve bazë, përmban edhe cigare, Nescafe, fruta të stinës, si për shembull qershi. Në mesin e 63 produkteve që hyjnë në shportë, janë edhe qershitë dhe “Nescafe”, për të cilat ka reaguar kryeministri Mickoski, por numri një i sindikatës Sllobodan Trendafilov thotë se llogaritja është për të gjithë vitin, që do të thotë se mesatarisht blihen rreth tre kilogramë qershi, që sipas përllogaritjes, është 10 gramë në ditë ose dy qershi. Për Nescafe, llogaritja thotë se një kanaçe 250 gramësh në muaj jep një kafe në ditë.
Përllogaritja e shportës sindikale minimale kishte dhe ka për qëllim të evidentojë më mirë nevojat themelore të një familjeje me katër anëtarë. Shporta minimale e Sindikatës u krijua në vitin 2011 dhe deri më tani ajo përfaqësonte treguesin e vetëm përkatës dhe një model më realist të llogaritjes së kostos së jetesës për një familje të supozuar, d.m.th. një familje prej katër anëtarësh, që jeton në një banesë prej 50 metrash katrorë dhe që nuk posedon një veturë. Shporta minimale sindikaliste ishte arsyeja e miratimit të Ligjit për pagën minimale dhe ishte baza për negociatat e sindikatave për të gjitha rritjet e pagave të deritanishme, si dhe për lidhjen e Marrëveshjeve Kolektive. Në opinionin kanë dalë edhe mendime për kundërshtimin apo aprovimin e modelit të deritanishëm.
Profesori dhe ish-ministri i Financave, Trajko Sllaveski, sfidoi shportën mujore të konsumatorit të sindikatës, e cila tregon se sa para nevojiten që një familje prej katër anëtarësh të “mbijetojë” muajin. Me anë të një postimi në rrjetin social “X”, ai ka pyetur se pse e llogarisim vlerën e shportës për një familje me katër anëtarë dhe jo për një familje me tre anëtarë. Duke iu referuar regjistrimit të fundit në vitin 2021, Sllaveski theksoi se një familje mesatare e Maqedonisë ka tre, jo katër anëtarë.
“Të dhënat e ekonomive familjare, Regjistrimi 2021: 1.836.713 banorë jetojnë në gjithsej 598.713 familje. Numri mesatar i anëtarëve në një familje është 3 (tre); Numri i përgjithshëm i amvisërive me një, dy dhe tre anëtarë është 359.684, që do të thotë se 60% e amvisërive në Maqedoni kanë maksimum tre anëtarë. Numri i familjeve me 4 anëtarë është 117.084, ose rreth 20% e totalit. Rreth 20% e mbetur e numrit të përgjithshëm të familjeve kanë 5 ose më shumë anëtarë. Pse e llogarisim vlerën e shportës mujore të konsumit për një familje katër anëtarëshe dhe jo për një familje tre anëtarëshe? Vetëm po pyes”, shkruan kryetari aktual i Këshillit të Qytetit të Shkupit nga VMRO, Sllavevski.
Megjithatë, ekspertë të ekonomisë kanë thënë se nuk ka dallim drastik mes një familjeje tre anëtarëshe dhe katër anëtarëshe kur bëhet fjalë për produktet në shportën e konsumit. Sipas profesorit universitar Vanço Uzunov, kur flasim për familje, në kuptimin ekonomik nënkuptojmë një familje. Ai shpjegon se çështja nuk është që ne të jemi plotësisht të saktë, por problemi janë paratë që ka kjo familje me tre anëtarë.
“Në ekonomi kjo quhet ekonomi e vëllimit. Ka një ndryshim të madh nëse është një familje e vetme me dy persona apo nëse ka të tjerë anëtarë. Nëse janë tre apo katër, nuk ka shumë ndryshim. Nuk do të thotë se kostot do të ulen shumë nëse janë tre në vend të katër. Është kualifikim statistikor i Sllaveskit. Kjo çështje dhe kostot e shportës nuk kanë ndikim të madh”, thekson Uzunov .
Në rrjetet sociale kanë reaguar edhe sindikalistë të tjerë. “Koha po humbet kot dhe ka bujë për një lloj shporte sindikale. Dhe nuk flitet për rritje pagash. Vetëkuptohet se pagat janë rritur në mënyrë drastike kudo në rajon. Dhe shtetet kanë hequr dorë nga disa nga ato kontribute që të ketë rritje reale të pagave dhe jo shpenzimeve. Opinioni është i shqetësuar për llogaritjet e Sindikatave , jo për një problem real”, thotë Kristina Ampeva sindikaliste. Ajo thekson se pagat e ulëta ngecin vetëm në vendin tonë dhe po rriten kudo në rajon, ndërkohë që ne po zihemi për shportën sindikale. Andaj kërkon të flitet për një problem real si për një pagë të denjë për jetesë dhe jo për cikërima. Ekonomisti Ljupço Zikov përskaj asaj se mbështet rritjen e pagave, kërkon edhe kujdes të madh të mbajtjes së inflacionit nën kontroll.
“Duhet të zgjidhim edhe problemin e thellë të ekonomisë maqedonase dhe standardin për të cilin duhen shkurtime!? Për shembull, sa para nga Buxheti shkojnë për administratën publike dhe prokurimet e kontratave… Shkurtoni në mënyrë dramatike dhe lini hapësirë për të rritur pagat…. Dhe një gjë tjetër e rëndësishme… Pyetja e vërtetë është se sa nga produktet në shportë prodhohen në fushat maqedonase dhe në fabrikat maqedonase! Nëse çdo gjë importohet, atëherë ju po importoni edhe inflacion prej andej….”, shkruan Zikov në rrjetet sociale.
Ndryshe, vlera e shportës minimale sindikale për janar 2025 është 63.252 denarë. Me një banesë me qira prej 60 metrash katrorë për muajin janar që llogaritet sipas metodologjisë së para dy viteve, vlera e shportës është 78.627 denarë. Për ushqim dhe pije, shporta minimale sindikale për janarin 2025 është 23.198 denarë apo më shumë se 1200 denarë se paga aktuale minimale.