Pas një bashkëpunimi të gjatë ndërmjet institucioneve lokale dhe atyre qendrore, është arritur marrëveshja për rregullimin e vendkalimit dhe hekurudhës në hyrje të fshatit Çerkez, një problem që ka shqetësuar qytetarët për një kohë të gjatë, veçanërisht banorët e këtij fshati.
Këshilltari komunal dhe njëherazi kryetar i degës së Kumanovës, Huzeir Mustafi, në një njoftim publik ka bërë të ditur se punimet do të nisin nesër (e martë), duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit. Gjatë kohës së punimeve, rruga nuk do të bllokohet plotësisht, por qarkullimi do të zhvillohet vetëm në njërin krah të saj. Qytetarët janë ftuar për mirëkuptim dhe shmangie të lëvizjeve të panevojshme në këtë segment rrugor, për të evituar kolonat eventuale.
Në fund të njoftimit, Mustafi ka falënderuar zëvendësdrejtorin e Ndërmarrjes Publike “Hekurudhat e Maqedonisë”, z. Fatlum Ilazi, si dhe Komunën e Kumanovës për kontributin e tyre në zgjidhjen e kësaj çështjeje të rëndësishme infrastrukturore.