Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami njoftoi se VLEN ka marrë vendim sipas të cilit kryesia e këtij koalicioni do të jetë organi i parë drejtues dhe nga sot e tutje të gjitha aktivitetet politike do të zhvillohen vetëm nën logon dhe emrin e VLEN-it.
“Nga sot, VLEN është adresa e vetme politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Vendosëm që t’i japim fund aktivitetit të ndarë të partive politike që e përbëjnë VLEN-in, dhe të veprojmë si një trup i vetëm politik,” deklaroi Kasami.
Sipas vendimit të marrë nga VLEN, të gjitha partitë pjesëmarrëse do të vendosin moratorium për aktivitetet publike nën emrat e tyre, dhe nga tani çdo dalje publike apo institucionale do të jetë vetëm në emër të VLEN-it. Po ashtu, u paralajmërua ngritja e strukturave të tjera si drejtuesit politikë të koalicionit dhe shefat e shtabeve zgjedhore.
Grupi parlamentar i VLEN-it do të vazhdojë punën me deputetët aktualë që do të mbështesin këtë strukturë të përbashkët parlamentare.