Filipçe theksoi se prioriteti kryesor i LSDM-së është të nominojë individë që gëzojnë reputacion të lartë në komunitetet e tyre, kanë mbështetje të vërtetë nga qytetarët dhe kanë kapacitet për të zbatuar me sukses programet e partisë.
“Le të promovojmë kandidatët më të mirë nga të gjitha komunat – njerëz nga vetë komunitetet, të cilët kanë mbështetjen dhe besueshmërinë më të madhe. Njerëz që mund t’i realizojnë programet si në aspektin e vlerave ashtu edhe në atë politik. Disa nga kandidatët janë tashmë të njohur, ata janë disa nga kryetarët aktualë të komunave. Do t’i shpallim emrat javën e ardhshme”, tha Filipçe.
Ai pret që i gjithë procesi të përfundojë deri në fund të qershorit.
Kryetari i LSDM-së informoi gjithashtu se po zhvillohen bisedime me partnerët e koalicionit për zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Tashmë e kemi filluar procesin e bisedimeve dhe gjetjen e partnerëve për periudhën e ardhshme, për ciklin e zgjedhjeve lokale. Disa nga negociatat po përfundojnë gradualisht, të tjerat janë në vazhdim e sipër, ndërsa të tjerat ende nuk kanë filluar”, shtoi Filipçe.
Në një seancë të Bordit Qendror të LSDM-së të mbajtur më 29 prill, u mor vendim për të filluar procedurën për përcaktimin e kandidatëve për këshilltarë dhe kryetarë komunash për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në këtë drejtim, Komiteti Qendror i LSDM-së miratoi rregulloren dhe orarin për procedurën, si dhe metodën dhe kriteret për përcaktimin e kandidatëve të LSDM-së.