Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një ofertë për armëpushim mes Izraelit dhe Iranit, dhe ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të rrëzuar regjimin e Iranit do të ishte një “gabim strategjik”.
“Ka një ofertë për t’u takuar dhe për të shkëmbyer mendime. Kjo ofertë ka për qëllim arritjen e një armëpushimi dhe nisjen e diskutimeve më të gjera. Tani mbetet të shihet nëse palët do ta ndjekin këtë rrugë”-tha Macron në një konferencë për shtyp gjatë samitit të G7.
Ai e përshkroi largimin e hershëm të Trump nga samiti si një zhvillim pozitiv dhe theksoi se dialogu duhet të rifillojë menjëherë, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e civilëve.
Macron shtoi se nuk pret ndonjë ndryshim të menjëhershëm.
“Që nga momenti që SHBA është e përkushtuar për të arritur një armëpushim dhe mund të ushtrojë presion mbi Izraelin, situata mund të ndryshojë”-tha Macron.
Presidenti francez i bëri thirrje të dyja palëve, Izraelit dhe Iranit që të ndalojnë sulmet ndaj civilëve, ndërsa paralajmëroi se rrëzimi i regjimit në Teheran do të ishte një veprim i rrezikshëm dhe i gabuar.
“Të gjithë ata që kanë besuar se një vend mund të shpëtohet nga jashtë, përmes bombardimeve, kanë gabuar rëndë,” tha ai.
Ndërkohë, Trump deklaroi për gazetarët se ishte i detyruar të largohej herët për “arsye të dukshme”. Gjatë ditës, ai përsëriti qëndrimin e tij se Irani nuk duhet të ketë asnjëherë armë bërthamore, një qëllim që Irani e mohon, por që Izraeli e konsideron një rrezik real dhe të afërt.