Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar me tone të ashpra ndaj mospërputhjeve të theksuara mes të dhënave të regjistrimit të popullsisë dhe rezultateve zgjedhore në Reçicë të Vogël, duke akuzuar drejtpërdrejt BDI-në për manipulime.
“Diaspora ndërtoi vendin, BDI ia fshiu emrin!”, thekson Mexhiti në reagimin e tij, duke kujtuar se banorët e Gërçecit u shpërngulën nga selia e BDI-së nëpër fshatra të tjerë, ndërsa ngre pyetjen se ku janë shpërngulur banorët e Reçicës së Vogël.
Sipas tij, regjistrimi i popullsisë i vitit 2021, i organizuar nga kuadro të BDI-së në Entin e Statistikave, tregon se në Reçicë të Vogël janë regjistruar gjithsej 1.653 banorë shqiptarë mbi moshën 18 vjeç. Por në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, në të njëjtin vendbanim, partitë shqiptare kanë marrë 2.402 vota.
“Pa i analizuar banorët që nuk kanë dalë në votime dhe ata nën 18 vjeç, në Reçicë mungojnë 800 banorë. Nëse i shtojmë edhe ata që nuk kanë votuar dhe nën 18 vjeç, në Reçicë të Vogël ka mungesë të mbi 3.500 banorëve të regjistruar”, thekson ai.
Mexhiti ngre alarmin: “A do të thotë BDI se në zgjedhje kanë votuar i madh e i vogël? Mbi 18 dhe nën 18 vjeç? Ka votuar i ri dhe i moshuar, bile dhe mbi 100% të popullatës? Apo BDI ka shpërngulur banorë nga Reçica në ndonjë vendbanim tjetër?”
Në deklaratën e tij, ai vë theksin në keqpërdorimin e të dhënave zyrtare dhe deformimin e vullnetit të qytetarëve, duke e quajtur këtë si një tjetër dëshmi të kapjes së institucioneve nga BDI për interesa të veta partiake.