Heshtje në Bashkimi Demokratik për Integrim pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese me të cilin u shfuqizuan dispozita nga Metodologjia e cila ndanë shtetasit në “rezident” dhe “jorezident”.
Derisa në rrjetet sociale përplasen politikisht me oponentët e tyre, përfaqësuesit e BDI-së nuk e shohin të arsyeshme të përgjigjen në pyetje gazetareske rreth implikimit politik, juridik e financiare që prodhon vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohet se drejtori i atëhershëm i Entit të Statistikave, Apostoll Simovski i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe në mënyrë të paligjshme ka kategorizuar popullatën në rezident dhe jorezident.
Megjithatë, përgjegjësia në këtë rast nuk është vetëm e drejtorit, por edhe zëvendësit të tij Ilmi Selami, pasi rezultati i regjistrimit, metodologjia, por edhe aktet tjera ishin bërë me nënshkrim të lidhura apo të dyfishtë. Selami, në mars të vitit 2021 pati deklaruar se këtë e kanë bërë për të ndarë barrën me drejtorin, ndërsa shprehet i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që ka marrë.
“Por, e kemi bërë që të ndihmojmë njëri-tjetrit. E dini se një proces i këtillë i cili është i shumë i ndërlikuar dhe frontal, të organizohet dhe të lihet gjithçka në barrën e një njeriu, ky është drejtori. Vihuni ju në pozitën e tij ose vihuni në pozitën time. Ne jemi dy dhe kemi barrë të rëndë, e lërë me ku të ishte vetëm një”, tha Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i ESSH-së.
“Çdokush prej nesh bartë përgjegjësi ligjore. Për atë që kemi bërë do të japim llogari. Ne nuk jemi fëmijë këtu, të ndahemi dhe të bëjmë përqindje dhe të ndajmë si hallvë. Pse nënshkrim të lidhur atëherë? Nënshkrimi i lidhur është nënshkrim i dyfishtë, i cili i ndihmon procesit”, u shpreh Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i ESSH-së.
Opozita nga ana tjetër vlerëson se me vendosjen e kategorisë jorezidente, qëllimi ka qenë që të ulet numri i popullatës shqiptare. Iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Metodologjisë ishte propozuar nga deputeti Skender Rexhepi. / Alsat.mk