Mali Sharr është një nga thesaret më të çmuara natyrore që ka Maqedonia e Veriut dhe gjithë rajoni i Ballkanit. Ruajtja e këtij ekosistemi të pasur kërkon më shumë sesa një detyrë zyrtare, kërkon dashuri, përkushtim dhe punë të pandërprerë. Këtë më së miri e dëshmon drejtori aktual i Parkut Nacional “Mali Sharr”, z. Evzal Elmazi.
Për të, puna nuk mbaron as të dielave. Ai është gjithmonë në terren, duke ndjekur nga afër gjendjen e pyjeve pas reshjeve, gjurmët e jetës së egër dhe duke mbikëqyrur çdo aktivitet që mund të rrezikojë këtë pasuri natyrore.
Në një nga daljet e tij të fundit në terren, Elmazi vetë thekson:
“Detyra jonë nuk është vetëm të ruajmë, por të dëgjojmë natyrën, të kuptojmë ritmin e saj, dhe të veprojmë me përkushtim për ruajtjen e çdo peme, çdo kafshe dhe çdo guri që mban historinë dhe jetën brenda vetes.”
Përkushtimi i tij shkon përtej mbrojtjes fizike të territorit, përfshin edhe ndërveprimin me banorët lokal. Takimet me barinjtë dhe banorët e zonës janë bërë pjesë e pandashme e punës së tij, duke ndërtuar ura bashkëpunimi për një mbrojtje sa më efektive të Malit Sharr.
Në një kohë kur sfidat ndaj natyrës janë gjithnjë në rritje, shembulli i Evzal Elmazit është një model i menaxhimit të përgjegjshëm dhe profesional të trashëgimisë sonë natyrore.
Natyra është pasuria jonë më e madhe dhe falë përkushtimit të tij dhe të ekipit të tij, ajo është më e sigurt për brezat që do të vijnë.