8 C
Tetovo
E diel, 29 Qershor, 2025
BallinaLajmeMaqedoniIzet Mexhiti publikon shifrat alarmante: Mbi 5.000 shqiptarë të fshirë vetëm në...

Izet Mexhiti publikon shifrat alarmante: Mbi 5.000 shqiptarë të fshirë vetëm në Strugë

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj tentativave të BDI-së për të manipuluar opinionin publik mbi procesin e regjistrimit të popullsisë. Në një deklaratë të publikuar sot, Mexhiti ka theksuar se partia që për 20 vite drejtoi institucionet shqiptare, është përgjegjëse direkte për fshirjen masive të shqiptarëve nga evidencat zyrtare.

“E kuptoj nervozizmin e BDI-së sa herë që hapet tema e regjistrimit të popullsisë,” u shpreh Mexhiti. “Ata janë të parët që e dinë arsyen pse dhe si erdhëm deri këtu! Sepse ndërkohë që populli përballej me varfëri dhe shpërngulje masive, ata ishin të zënë me operacione pasurimi dhe pazare politike, pa asnjë interes për fatin e shqiptarëve në këtë shtet.”

Mexhiti theksoi se BDI për vite me radhë jo vetëm që lejoi shpërnguljen masive të shqiptarëve, por edhe ata që mbetën në vend, i fshiu nga evidencat zyrtare.

“Shpërngulje dhe fshirje, ky ishte projekti i tyre real, pas fasadës së patriotizmit të rrejshëm që sot e luajnë në Facebook. Tani, përmes deklaratave boshe dhe patriotizmit mediatik, përpiqen të mbulojnë të vërtetën dhe të fshehin tradhtinë e madhe që ia bënë shqiptarëve në këtë vend,” tha më tej Mexhiti.

Ai solli në vëmendje disa raste konkrete nga rrethi i Strugës, duke publikuar të dhëna alarmante:

Në fshatin Ladorisht, sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë më 2021, janë evidentuar 1.344 banorë mbi moshën 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2024 kanë votuar 2.397 persona, pra mbi 1.000 më shumë se sa të regjistruar.

Në Veleshtë, janë regjistruar 2.196 banorë me të drejtë vote, por në zgjedhjet e fundit kanë votuar 2.377, rreth 200 më shumë se numri real.

Në fshatin Livadhi, situata është e njëjtë – numri i votuesve është më i lartë se numri i banorëve të regjistruar.

“Vetëm nga këto tri fshatra të Strugës, janë ‘zhdukur’ nga evidencat mbi 5.000 shqiptarë. Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut,” theksoi Mexhiti.

Ai akuzoi BDI-në se ka kthyer regjistrimin e popullsisë në një proces të manipulimit politik dhe demografik, duke mohuar ekzistencën reale të shqiptarëve në vend.

“BDI, me politikat e saj destruktive, jo vetëm që i detyroi shqiptarët të largohen nga vendi, por edhe ata që mbetën, i zhduku nga listat zyrtare. Kjo është një nga tradhtitë më të mëdha kombëtare që ka ndodhur në këto dy dekada,” shtoi Mexhiti.

Duke përfunduar, Zëvendëskryeministri i Parë paralajmëroi se “koha për përgjegjësi ka ardhur dhe përgjegjësi për këto tradhti kombëtare do të ketë.”

spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments