Analisti politik Fejzi Hajdari ka komentuar vizitën e fundit në Shkup të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar dallimin në mesazhe dhe në përfaqësim institucional.
Sipas Hajdarit, kryeministri Rama zgjodhi të takohet me aktivistë dhe përfaqësues të partisë së Ali Ahmetit, shumë prej të cilëve, siç thekson ai, janë të përfshirë në afera të ndryshme korrupsioni, të dyshuar apo të dënuar.
Rama defiloi në Çarshinë e Shkupit, atraksionin më të madh dhe simbolin e vjetër të qytetit, i shoqëruar nga njerëz që nuk ishin përfaqësues të lartë të shtetit, por thjesht aktivistë politikë”, tha Hajdari.
Në kontrast me këtë, ai vlerësoi vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili u prit nga zëvendëskryeministri i parë dhe zëvendëskryeministri tjetër i Maqedonisë së Veriut, të dy shqiptarë duke treguar sipas tij një nivel shumë më të lartë institucional dhe simbolik.
“Rama, nga ajo që komentojnë edhe kolegët e mi analistë, i bie se bëri më shumë fushatë politike për BDI-në, sesa një angazhim real për interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Hajdari.