8 C
Tetovo
E premte, 4 Korrik, 2025
BallinaLajmeOpinioneAlbin a ja VLEJTI-i për të gjithë apo veç për dikë!

Albin a ja VLEJTI-i për të gjithë apo veç për dikë!

Picture of Ina Online
Ina Online
03/07/2025

Nga Muhamer Pajaziti

Në vitet 2003-2004, Albin Kurti po intensifikonte veprimtarinë e tij me lëvizjen KAN, të cilën po e përgatiste për ta shndërruar në një projekt politik të qëndrueshëm me kauzën qendrore “Vetëvendosje”. Ai e kishte të qartë se për të ndërtuar një projekt serioz duheshin tri shtylla: një kauzë e qartë, resurse njerëzore të përgatitura dhe organizim i qëndrueshëm.

Në atë periudhë, Kurti nisi të rekrutojë studentë dhe kuadro të rinj, për të zhvilluar mendimin kritik dhe për të ndërmarrë aksione në dobi të së mirës së përbashkët. Në maj të 2004, unë dhe miku im Vilhard Shala zhvilluan takimin e parë me Albinin në zyrat e KAN-it që ishin në një shtëpi të vjetër në lagjen Pejton të Prishtinës. Aty dëgjuam një Albin që fliste me qartësi tronditëse për zhvillimet në veri të Kosovës, për strukturat paralele, enklavat serbe, korrupsionin dhe ngritjen e oligarkëve.
Fjalët e tij rridhnin si një film që e kishte parë me qindra herë. Respekti i tij për dijen, për artistët, për intelektualët dhe për njerëzit e zakonshëm ishte frymëzues. Besimi te rinia, durimi dhe përkushtimi ndaj kauzës ishin baza që më vonë e shndërruan KAN-in në Vetëvendosje – një ndër lëvizjet më të fuqishme politike në rajon.

Pas kthimit në Maqedoni, kam mbajtur një komunikim dhe kam pasur disa intervista me Albin Kurtin, dhe gjithmonë e dallonte një interes i veçantë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Kjo ishte arsyeja pse, kur doli lajmi se VETËVENDOSJE do të mbështeste një grupim të partive shqiptare (VLEN), ne, unë dhe shumë shokë, miq, kolegë e familjarë e mirëpritëm me entuziazëm. Shpresuam se më në fund po vinte ndryshimi dhe rotacioni politik i shumëpritur, që do t’i jepte fund një pushteti të stërzgjatur, që po merrte një trajtë njëmendësie, pas më shumë se dy dekadash zhgënjimi!

Madje, në atë kohë, i shkrova edhe një letër publike Albin Kurtit: “Faleminderit që ndihmove rrotacionin politik të shqiptarëve në Maqedoni dhe ua hoqe copën e tortës nga goja disa funksionarëve të përjetshëm.”

Letra u shkrua me shpresën se ky formacion i ri politik do të përqafonte disa nga vlerat e VETËVENDOSJES: kauzën, ndershmërinë, meritokracinë dhe përfshirjen e profesionistëve të dëshmuar, të cilët për dy dekada kishin guxuar të flasin hapur kundër fenomeneve dhe ngjarjeve të shëmtuara nga pushteti në Maqedoninë e Veriut.

Shpresuam se në plan të parë do të viheshin studentët më të mirë, intelektualët, njerëzit me dije e integritet, e jo ata që kanë mbijetuar vetëm përmes akrobacioneve, servilizmit dhe ndërrimit të fanellave dhe taboreve politike, here në një krah herë në tjetrin!

Shpresuam për transparencë, për barazi në mundësi dhe për një përfaqësim të denjë të kuadrove të mirëfilltë reprezentues të moshës së re, për t’iu dhënë mundësia institucionale.

Por ndodhi e kundërta! U rehatua dhe u punësua një grusht njerëzish, me rroga të majme, që interesohen vetëm për rrethet e tyre të ngushta familjare e vicioze. Filloi të rikthehet e njëjta fotografi që e kemi parë për vite me radhë, të punësuar pa ndonjë kriter tjetër përveç afërsisë së ngushtë me pushtetin. Me përjashtime të rralla, kauza u zëvendësua me rehati, meritokracia me lojalitet dhe shpresa me zhgënjim.

Ndërkohë, ka profesionistë të dëshmuar të papërfillur, që pritën një sfidim dhe sprovë institucionale, pritën vendin e merituar për të dhënë kontributin e tyre. Po ashtu kemi studentët më të mirë që një pjesë e tyre punojnë nëpër markete dhe nuk i’u jepet mundësia.
Listat për punësime ndahen në grupe WhatsApp-i dhe vendet e punës ofrohen në mënyrë të mbyllur përmes listave të parapërgatitura, si pazare në një treg politik provincial.
Kjo që po ndodh nuk ka asnjë lidhje me KAN-in e dikurshëm, as me VETËVENDOSJEN e idealit, e as me shpresën e rrotacionit të vitit 2024. Përkundrazi, po përballemi me ngushtim të garës, zhdukje të meritokracisë dhe mungesë të plotë të vizionit dhe kauzës.

Nëse kjo ishte alternativa që do të sillte ndryshimin, atëherë ne si shoqëri duhet të pyesim veten me zë të lartë:

A kemi humbur përfundimisht shpresën për meritokraci dhe ndershmëri? Apo ende ka kohë për një reflektim të thellë dhe kthim te parimet që na bënë të besojmë?

spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments