Në një atmosferë të mbushur me entuziazëm në Strugë u hap zyrtarisht Zyra e Shtabit Zgjedhor të koalicionit VLEN.
Kjo zyrë do të shërbejë si qendër organizimi për të gjithë ata që besojnë në rikthimin e dinjitetit, transparencës dhe zhvillimit për Strugën, tha shefi i shtabit, njëheritë edhe zv ministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha.
Hoxha theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në këtë proces dhe vuri në dukje se VLEN nuk është vetëm një alternativë politike, por një vizion për ndryshim të vërtetë, ndërsa tha se VLEN mbështet fuqishëm kandidaturën e Mendi Qyrës për kryetar Struge, një personalitet që tejkalon kufijtë e politikës partiake.
“Qeveria VLEN po tregon kujdes të veçantë për Strugën. Aktualisht janë ndarë rreth 10 milionë euro për investime kapitale në Strugë. Dy projekte të mëdha veçmë kanë filluar: bulevardi hyrës në drejtim të lagjes Vreshtat e Liqenit (2.2 milionë euro) dhe ndërrimi i gypave të asbestit në rrjetin e ujësjellësit të qytetit (mbi 1.5 milionë euro).
Do të kemi investime në Spitalin e Specializuar për Nefrologji, tek Spitali i Përgjithshëm dhe Shtëpia e Shëndetit.
Më në fund do ta fillojmë procesin për rregullimin e statusit të dhjetëra punonjësve shëndetësorë që prej vitesh punojnë me kontrata në vepër, pa sigurim pensional e shëndetësor, me paga qesharake e nënçmuese”, theksoi zv ministri Hoxha.