Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar sot një takim miqësor me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shkup, Shkëlqesinë e Tij, Florijan Qehaja. Takimi u mbajt në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku u diskutuan zhvillimet më të fundit politike në rajon dhe në vend, si dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve fqinje. “Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut gjithmonë kanë qenë në nivelin më të lartë dhe ky bashkëpunim jo vetëm që do të vazhdojë, por do të thellohet edhe më tepër”, theksoi Kasami pas takimit.
Një nga temat konkrete që u diskutua ishte edhe funksionalizimi i sistemit “One-Stop Shop” në vendkalimet kufitare, që ka lehtësuar ndjeshëm lëvizjen dhe bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve të dy vendeve, duke forcuar lidhjet ekonomike, kulturore dhe kombëtare mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Në fokus të bisedës ishin gjithashtu zhvillimi ekonomik, përgatitjet për zgjedhjet lokale, perspektiva evropiane e dy vendeve, si dhe çështje tjera me interes të përbashkët.