” Skena: Berberhane dhe më pas Çajtoria “Tne Dutllok” në Gostivar
Në berberhanen e Dajës Ilmi
(Radioja lëshon titullin bombastik: “Sondazhi i fundit: BDI me rritje, VLEN me rënie. Më i besuari pas Babagjyshit prej Zajazi , Doktori.”)
Daja Ilmi (me brisk në dorë):
E more Mali…
Unë mendoja që briskun ma vënë në qafë veç klientët…
Po paska fillu Grubi me ma vu briskun edhe prej së largu në ekzil!
Mali (i revoltuar):
Dajë, kjo nuk është anketë, kjo është kabaré politike.
Doktori që e lanë të gjithë, po na del lider kombëtar?
Këta edhe pas humbjes, i bëjnë të vdekurit të duken si fitimtarë!
(Xhaferi futet, i djersitur dhe i nervozuar)
Xhaferi:
E ndigjova në taksi. Një pasagjer më tha: “Shiko Xhafer, nëse Doktori është lider, unë jam astronaut.”
I thashë: “More shok, në këtë vend edhe raketat lëshohen nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Grubit!”
(Shpëtimi vjen me sy të nxirë nga mungesa e gjumit, si gjithmonë me ndershmërinë e lënduar në fytyrë)
Shpëtimi:
Jam lodh. Kam heq dorë nga gjithçka për Doktorin.
E tash më vjen si “zëvendës i Babagjyshit Zajazit” në anketa të sajuara!
Unë lashë partinë për moral, ata bënë marrëveshje të… hallit.
Ndërrim skene: Te Çajtoria “ne Dutllok”
(Shtrihen në verandë. Papritmas hyn Shankisti, me shallin jeshil, kokën lart dhe një dosje të mbushur me “fakte”)
Shankisti (me zë krenar):
Mirëdita zoterinj të pushtetit së çakorduar!
A e patë sondazhin? Kombi po e do stabilitetin, po e do Babagjyshin. Populli e ndien që BDI është garanci.
VLEN-i? Ehh… po tretet si boza në diell!
Mali (i buzëqeshur, por thumbues):
Shankist, përshëndetje. Po ti prap me zarfin në dorë je?
S’po mundesh pa dosje, a?
Kjo “anketë” e juaj është aq serioze, sa më duket ma reale horoskopi i gazetës “Tetova Neser ”!
Shpëtimi:
Ma thuaj drejt, Shankist, në çfarë laboratori i sajoni këto sondazhe?
Po mirë more burrë, kur Doktori u shndërrua në ikonë popullore, kur të vetët s’e lënë as të futet në zyrë?
Xhaferi:
Dëgjo, o mik i Ramiut… Unë e kuptoj që ke detyrë me e shpërnda narrativën, po kur gënjeshtra bëhet shumë qesharake, as aktorët nuk i besojnë vetes.
Ju e digjni Shkupin, e thoni “Qeveria e VLEN s’po ja del!”
Ju i ndizni pyjet, e thoni “Populli do Babagjyshin se është zjarrfikës me përvojë!”
Shankisti (i acaruar):
Mos luani me ndjenjat e popullit! Populli e ka votuar historinë, jo eksperimentin!
E vërteta është që populli është lodhur nga dallaveret e opozitës!
Daja Ilmi (i qetë, por therës):
Shankist, boll na lodhe me “popullin”.
Populli foli më 8 maj, kur i tha BDI-së: “Dil pak me u fresku se ke qëndru shumë gjatë në qeveri!”
A ju ka kap paniku aq shumë sa po e shpikni edhe opozitën?
Mali:
Po ti s’e kupton një gjë, Shankist:
Nëse populli do ta kthente BDI-në, s’kishit nevojë për anketa false, për media të blera e për lajme të vjetra që i shisni si kriza etnike.
Ishte mjaft një fotografi me Doktorin që pin çaj me Babagjyshin, që populli ta kuptojë, tradhtia është bërë në heshtje.
Shpëtimi (me zë të butë):
E mos e përmend më Doktorin, Shankist…
Na lëndon ne që besuam. Ne që kujtuam se po niste një kapitull i ri.
E na dolët ju, redaktorët e skenarëve të vjetër.
Papritur, Mali merr një telefonatë nga Drini, që është rrugës për në Strugë…
Drini (nga telefoni): Mali, Struga ka nis me u zgju si vullkan. Emri që po e ndez qytetin është: Destani i Strugës! Nuk ka kush ia ndal hovin! Ai është emblemë e qytetit, nuk ka pas nevojë me qenë kryetar, por ka ba sa pesë kryetarë bashkë.
Mali: Ai me klubin “Trim Lum”, a? Që e çoi Strugën në Europë me sport e jo me tendera!
Drini: Po! Ka investu në sport, kulturë, në krenari qytetare. E ka fitu zemrën e popullit pa asnjë skemë, pa propagandë! As non-grata, as grata – po me vepra!
Xhaferi: O Dajë, a po e sheh? Kur s’ka ma kush besim në liderët e paketuar si shampone, populli kthehet kah ata që i din çka kanë ba.
Daja Ilmi: Edhe nëse do, hajde ta qethim edhe Strugën, fijë-fijë, por me dorë të drejtë!
Mali: E tash populli e din: kush ka punu, kush ka mashtru. Kush ka ndërtime, kush ka numra. E kush ka kablla të djegura, e kush ka zemrën e ndezur!
(Shankisti largohet, i përfshire në siklet e inat. Mali ngre gotën e çajit.)
Mali:
Gëzuar burra.
Për sondazhet që digjen para se të shtypen, për liderët që s’jepen, për një popull që po zgjohet çdo ditë nga gjumi propagandistik…
Daja Ilmi:
E për votën, e vetmja anketë që s’mund ta sajojë as Grubi vetë.
Në episodin e ardhshëm: “Zjarri në Saraj – kush ndez, kush e fik dhe kush e bën lajmin?”
Ky serial është vepër satirike. Ngjarjet dhe personazhet janë produkt i imagjinatës dhe humorit popullor. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është tërësisht rastësore… ose thjesht e paqëllimshme!