Pas 30 vitesh më në fund VLEN po ua kthen shtetin të gjithëve, jo vetëm të privilegjuarve, tha Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke i shpalosur 828 projektet që Qeveria i miratoi ditën e djeshme.
“Së pari, dua të theksoj me plot përgjegjësi se sër dy vjet po investojmë 300 milionë euro në projekte lokale, gjë që asnjë qeveri nuk e ka bërë kurrë këtë, si qeverisja jonë.Së dyti, komunat shqiptare në të gjithë Maqedoninë Perëndimore dhe në Shkup, që u lanë në margjina për dekada me rradhë, sot po marrin mbi 30% të shumës totale. Andaj po e them me plot përgjegjësi se padrejtësia historike që u është bërë shqiptarëve nga qeveritë e kaluara i erdhi fundi” , tha Kasami.
Kasami theksoi se vetëm gjatë ditës së djeshme janë miratuar projekte me vlerë 225 milionë euro. Po ndërtohet në Tetovë, tha ai, dhe se po gjejnë zgjidhje për probleme të trashëguar edhe në Likovë, Gostivar, Strugë, kudo ku jetojnë shqiptarët.
“Qeveria VLEN dje miratoi 828 projekte me vlerë totale prej 225 milionë euro. Vlen të theskohet se vitin e kaluar Qeveria VLEN ndau 288 projekte me vlerë totale mbi 73 milion euro. Shuma totale për këto dy vite është rreth 300 milionë euro para për qytetarët dhe nevojat e tyre”, tha Kasami.
Siç bëri të ditur Kasami, këto mjete janë të destinuara për ndërtim të shkollave, kopshteve të fëmijëve, pishinave, rrugëve të reja, ujësjellësve, kanalizimeve, ndërtimin e teatrove, fushave të sportit, etj. Komunat ku jetojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut më në fund po marrin arterien e tyre të zhvillimit dhe mbështetjes nga buxheti qendror dhe se për herë të parë shqiptarët i përfaqëson një koalicion i cili vendos për të drejtat e tyre.