Aleanca për Shqiptarët po përjeton një krizë të thellë të brendshme. Një tjetër figurë e rëndësishme largohet nga partia, duke i dhënë një goditje të re udhëheqjes së Arben Taravarit. Bëhet fjalë për Argjend Gura, anëtar i Kryesisë Qendrore të partisë, i cili ka njoftuar publikisht dorëheqjen nga funksioni që mbante.
“Pas një kohe të mjaftueshme reflektimi personal dhe pa emocione momentale, kam vendosur të largohem nga pozicioni i anëtarit të kryesisë së Aleancës për Shqiptarët. I falënderoj publikisht të gjithë simpatizantët, funksionarët dhe kryetarin e partisë për respektin dhe përkrahjen e deritanishme,” ka shkruar Gura.
Largimi i Gurës vjen në një kohë kur brenda Aleancës janë shtuar pakënaqësitë dhe dorëheqjet, ndërsa Taravari po përballet me kritika të forta për drejtimin e partisë dhe marrëveshjet e fundit politike.