Nga ndarja e parë dramatike midis Ziadin Selës dhe Arben Taravarit e deri tek vendimi i shumëpritur nga gjykata e apelit, Aleanca për Shqiptarët vazhdon të endet në mjegullën e pasigurisë juridike dhe politike. Në qendër të kësaj turbulence është kontesti për pronësinë dhe të drejtën e përfaqësimit ligjor të partisë, konkretisht e drejta mbi vulën dhe emrin e saj.
Gjykata Themelore në Tetovë në dy raste të ndara vendosi në favor të Ziadin Selës, duke ia njohur këtij të fundit të drejtën mbi vulën dhe përfaqësimin zyrtar të subjektit politik. Megjithatë, pas ankimimeve të bëra nga krahu i Arben Taravarit, Gjykata e Apelit në Gostivar vendosi të rikthejë lëndën për rigjykim. Vendimi i dytë i Gjykatës Themelore në Tetovë sërish doli në anën e Ziadin Selës, duke i forcuar pozitat e tij formale në këtë përplasje që po ndjek më shumë konturet e një lufte për mbijetesë politike sesa një debat programor.
Aktualisht, pas ankimimit të dytë nga pala Taravari, dosja ndodhet ende në Gjykatën e Apelit, pa një epilog të qartë, ndonëse vetëm pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet lokale. Kjo vonesë në vendim nuk është parë thjesht si rezultat i procedurave të ngadalta gjyqësore, por si një manifestim i ndikimit të faktorëve të jashtëm në drejtësi. Sipas njohësve të procedurave gjyqësore dhe zhvillimeve politike në vend, dyshohet se kjo zvarritje është rezultat i ndërhyrjeve politike, konkretisht nga BDI dhe lideri i saj Ali Ahmeti.
Burime nga të dy kampet brenda Aleancës për Shqiptarët pohojnë se Ali Ahmeti po përdor ndikimin e tij mbi gjyqësorin për të mbajtur pezull vendimin final, duke e kthyer këtë proces në një formë shantazhi politik. Thuhet se Ahmeti po i mban peng të dy krahët e Aleancës, duke u dhënë të kuptojnë se në fund do të vendosë ai se kush do të ketë të drejtën për të kandiduar dhe përfaqësuar zyrtarisht këtë subjekt politik në zgjedhjet e ardhshme.
Në këtë klimë të paqartësisë dhe manipulimeve të hapura, në horizont është shfaqur një opsion i tretë, një “aleancë e re” që shumëkush e konsideron si rikthim te rrënjët e vërteta të Aleancës për Shqiptarët. Kjo lëvizje, e cila përfshin shumicën e themeluesve të partisë dhe aktivistë të pandikuar nga shantazhet apo përfitimet e momentit, po shihet si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e kauzës së dikurshme të Arben Xhaferit.
Për këtë grupim të tretë, rrugëtimi politik nuk është për pushtet të çastit apo poste të favorshme, por për vazhdimësinë e një vizioni politik që ka kërkuar gjithnjë rrotacion real dhe përfaqësim dinjitoz të shqiptarëve në Maqedoni. Ata nuk janë të përfshirë në luftën për vula, por në betejën për legjitimitet moral e politik, dhe kanë filluar të krijojnë një bazë të re mbështetëse në terren, sidomos në prag të zgjedhjeve lokale.
E ardhmja e Aleancës për Shqiptarët duket më e pasigurt se kurrë. Por ajo që është më shqetësuese për qytetarët dhe për vetë demokracinë në vend, është fakti që drejtësia dhe të drejtat elementare për përfaqësim janë kthyer në monedhë pazari politik. Në vend që të garojnë me ide dhe projekte, liderët politikë duket se po garojnë për vulën e mbështetjes nga gjykatat, e këto të fundit, për fat të keq, nuk janë as të verbra, as të pavarura./fol.mk