Gjatë ditës së sotme u mbajt seanca e 17 e Komisionit për arsim, shkencë dhe sport ku u diskutua Propozim ligji për shkollat e mesme të bashkësive fetare, leximi i dytë .
Me këtë rast, deputetja e Alternativës dhe Koalicionit VLEN, Imerlije Saliu, ka nënvizuar faktin se bëhet fjalë për një drejtësi të vonuar.
“Fillimisht, më lejoni që të them se sot, por prej momentit kur ky ligj hyri në lexim të parë, të gjithë jemi dëshmitarë që flasim për një drejtësi të vonuar. Edhe kjo është një fakt. Madje, këtë më së miri nga të gjithë ne besoj se e dini ju që jeni pjesë e Frontit Evropian. Sepse, realisht keni pasur vazhdimisht ministri të arsimit dhe asnjëherë nuk keni marr mundin për të formuluar një ligj mbi shkollat fetare në vend. Po, është shumë e vërtetë”, nënvizoi Saliu.
Saliu ka demantuar vendimin në kohën e BDI-së kur janë munduar që ta akreditojnë një gjimnaz ku janë eliminuar të gjitha lëndët fetare.
“Vendimin të cilin e sollët ju, vendimin e Qeverisë, mesa e di, me atë vendim Qeverie ju akredituat, u munduat ta akreditoni një gjimnaz duke lënë anash të gjitha lëndët fetare që realisht nuk dihej se po flasim për shkollë të mesme fetare ose për një shkollë gjimnazi të përgjithshëm. Edhe kjo është e ditur botërisht, ndaj të cilës ishte një vendim qeverie ku nuk u morën aspektet ligjore që ai vendim të jetë i plotfuqishëm. Dhe për këtë ju jeni dëshmitarë vet dhe atë kohë ju e përdorët vetëm përpara procesit zgjedhor dhe përpara opinionit”, nënvizoi Saliu.
Saliu ka nxjerr në pah faktin se përmes amendamenteve që kanë propozuar në këtë Komision, ata kanë mënjanuar të gjitha pengesat e mundshme Kushtetuese.
“ Ajo që sot është realisht përpara nesh me të gjitha amendamentet të cilat ne i kemi propozuar, d.m.th. lëshimet teknike të cilat ishin të përfshira në draft ligjin ne i kemi paraparë në amendamente ku kemi pas grup ekspertësh të cilët i kanë marr për bazë të gjitha ato lëshime që të mos kemi probleme me Gjykatën Kushtetuese”, nënvizoi Saliu.