Zvicra është e gatshme të pranojë në territorin e saj presidentin rus Vladimir Putin për bisedime paqeje me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky — pa e arrestuar, pavarësisht mandatit ndërkombëtar të arrestit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Lajmin e konfirmoi ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, i cili theksoi se vendi i tij ka përgatitur prej kohësh një kornizë ligjore të qartë për raste të tilla.
“Këshilli Federal ka sqaruar që vitin e kaluar se një person me urdhërarrest ndërkombëtar mund të marrë imunitet në Zvicër, nëse vjen për një konferencë paqeje dhe jo për arsye private,” – u shpreh Cassis, duke iu përgjigjur një pyetjeje të drejtpërdrejtë për mundësinë që Putin të udhëtojë drejt Gjenevës për t’u takuar me Zelenskyn.
Sipas ministrit zviceran, gjithçka është gati: “Ne dimë si të veprojmë, jemi në kontakt me Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe mund ta nisim procedurën që sonte nëse është e nevojshme. Zvicra ka një traditë të gjatë humanitare dhe diplomatike, dhe si seli e OKB-së, ka një rol unik për të ofruar platforma për paqen.”
Ai kujtoi gjithashtu se në muajin korrik, një takim ndërkombëtar i organizuar në Gjenevë solli pjesëmarrjen e kryetarit të parlamentit rus, për të cilin u morën paraprakisht leje diplomatike nga vendet fqinje. Situata, sipas Cassis, u zgjidh brenda pak orësh.
“Kemi kapacitetin për ta garantuar një takim të tillë – sigurinë në çdo aspekt dhe mbështetjen ndërkombëtare. Pastaj, natyrisht, janë liderët botërorë ata që vendosin se ku dhe kur do të takohen,” – përfundoi shefi i diplomacisë zvicerane.
Deri tani, nuk ka konfirmim zyrtar për një takim mes Putinit dhe Zelenskyt, por Zvicra është e gatshme të luajë rolin e ndërmjetësueses, pa pengesa ligjore për pjesëmarrësit — për sa kohë që qëllimi është paqja.