Omer Ajdini, sekretar për marrëdhënie me jashtë në ASH-në e Arben Taravarit ka njoftuar largimin nga kjo detyrë dhe ky subjekt.
Ajo që e ka zhgënjyer rëndë Ajdinin ka qenë mu vota që nga Taravari dhe Ahmeti është kërkuar për të votuar Erkan Arifin për një mandat tjetër në krye të Likovës.
“Që vjen dita me ardhur kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Likovë, bashkë me Ali Ahmetin, dhe pas 8 vitesh keqqeverisje të Erkan Arifit dhe 20 vitesh keqqeverisje të BDI-së me u kërkuar anëtarëve të ASH-së ta votojnë Erkan Arifin nuk e kam besuar”, thotë i zhgënjyer Ajdini.
Thotë se ka pranuar të jetë sekretar për marrëdhënie me jashtë, edhe përkundër dëshirës së tij dhe angazhimeve të shumta profesionale, vetëm e vetëm që të ndërtohet një parti që do të jetë shpresë për ndryshim.
ASH-ja e vërtetë, thotë ai mbetet ajo organizatë që dikur i mblodhi tok me ballin lartë plot krenari, në luftën kundër së keqes dhe zemrat plot shpresë për ditë më të mira…
“Një parti që do të qëndrojë në vijën që e kemi pasur gjithmonë. Por shpresën time e kthyen në zhgënjim, ëndrrat tona i shtypën me të dyja këmbët. Kjo nuk është partia që unë kam shpresuar ta shoh, partia që kam dhënë mund që ta ndërtojmë. Prandaj unë më nuk jam as sekretar për marrëdhënie me jashtë dhe as anëtar i ASH-së, e me këtë as anëtar i ndonjë partie tjetër”, thotë Ajdini.
Për fund në llogarinë e tij në Facebook ai shkruan:
“Unë atë që e kam pështy nuk e lëpij, për asnjë çmim dhe me asnjë justifikim. Politika para se gjithash kërkon fytyrë dhe moral dhe unë këtë nuk jam në gjendje t’ia falë askujt”.