Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me kandidatët për këshilltarë të koalicionit VLEN, të prirë nga bartësi i listës Albi Qamili, si dhe aktivistë e përkrahës, marshuan sot nëpër tregun e Tetovës.
Gjatë takimit me qytetarët, Kasami tha se ky ishte një rast për të prezantuar punët e kryera gjatë katër viteve të fundit, planet për të ardhmen, por edhe për të dëgjuar shqetësimet dhe prioritetet e banorëve të Tetovës.
“Pas katër vitesh punë dhe përkushtim, dalim ballëhapur para qytetarëve me kërkesën që t’i japim vazhdimësi transformimit të Tetovës. Në çdo cep të komunës sonë jehon një zë, zëri për Tetovën që ecën përpara, drejt Kapitullit të Dytë të zhvillimit. Tetova s’ndalet”, deklaroi Kasami.
Ai shtoi se koalicioni VLEN mbetet i përkushtuar për t’i dhënë vazhdimësi projekteve të nisura dhe për të çuar përpara vizionin për një Tetovë më moderne dhe më funksionale.