Një anketë e realizuar në terren nga Qendra për Hulumtim dhe Komunikim Politik (CRPC) me 474 qytetarë të rastësishëm të komunës së Bogovinës ka nxjerrë në pah perceptimet e banorëve për problemet kryesore dhe preferencat e tyre zgjedhore.
Në pyetjen “Cili mendoni se është problemi më i madh me të cilin përballet Komuna e Bogovinës?”, qytetarët kanë identifikuar si sfidë kryesore mungesën e ujit të pijshëm dhe kanalizimet (42,3%), çka sipas tyre tregon se udhëheqësia paraprake ka dështuar në këtë drejtim. Pasojnë infrastruktura rrugore me 18,5%, migrimi i të rinjve me 15,9%, mirëmbajtja dhe pastërtia me 10,1%, ndriçimi publik me 2,6% dhe probleme të tjera me 9,7%.
Në pyetjen lidhur me zgjedhjet lokale për kryetar komune më 19 tetor, rezulton se Feti Abazi nga Koalicioni VLEN prin me 46,1%, ndërsa Besnik Emshiu nga Koalicioni AKI ka mbështetjen e 28,1% të qytetarëve. Një përqindje e konsiderueshme, 28,2%, nuk kanë dhënë përgjigje ose ende nuk kanë vendosur se për kë do të votojnë.
Interesant mbetet fakti se në këtë komunë, kandidati i VLEN-it qëndron më mirë në krahasim me vetë koalicionin. Në pyetjen hipotetike se “Nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, për cilën parti do të kishit votuar?”, 43,7% e qytetarëve janë shprehur për VLEN, ndërsa 36,1% për koalicionin AKI. Për parti të tjera kanë deklaruar se do të votonin 13,2% e qytetarëve, ndërkohë që në disa vendbanime si Urviç, Jellovjan dhe Novosellë ka përkrahje edhe për VMRO-DPMNE me 5,2% dhe LSDM me 1,8%.
Anketa është realizuar në terren, sy më sy, me qytetarë të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme nga të gjitha vendbanimet e Komunës së Bogovinës, nga Qendra për Hulumtim dhe Komunikim Politik (CRPC). Rezultatet kanë një marzh gabimi prej ±2%.
Nga CRPC njoftojnë se në ditët në vijim do të publikohen edhe anketat për komunat e tjera.