Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu ka zhvilluar një vizitë zyrtare në qytetin italian L’Aquila, ku u prit nga Kryetari i Komunës, z. Pierluigi Biondi. Gjatë kësaj vizite, ai ishte i shoqëruar edhe nga bartësi i listës së tij zgjedhore, ndërsa pati mundësinë të ndjekë nga afër punën e këshillit komunal dhe funksionimin e institucioneve vendore të kësaj komune me histori, kulturë dhe traditë të pasur.
Në takim ishte e pranishme edhe bashkëkombësja jonë, znj. Edlira Ibrahimi, e cila shërben si këshilltare për të huajt në komunën e L’Aquila, duke përfaqësuar me përkushtim komunitetin shqiptar në Itali.
Është vlerësuar fakti se në L’Aquila jeton një numër i madh bashkëvendasish nga Maqedonia e Veriut, veçanërisht nga Komuna e Zhelinës, të cilët me punën dhe kontributin e tyre janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore, kulturore dhe ekonomike të qytetit italian.
Sejdiu theksoi se ky takim përbën një përvojë të vlefshme bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash, që do të shërbejë si frymëzim në angazhimet e mëtejshme për zhvillimin dhe përparimin e komunës.