Nga: Mustafa DAUTI
Deklarata e fundit e Ali Ahmetit ku shqiptarët që nuk janë me të i quajti “zagarë” është dëshmi e qartë e rënies së standardit politik dhe moral në vend. Një gjuhë e tillë, që i përket më shumë rrugës sesa sallave të politikës jo vetëm që ofendon kundërshtarët, por edhe fyen inteligjencën e qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Kur një lider me dekada në politikë i lejon vetes të përdorë fjalor banal, kjo tregon dy gjëra, frikë nga sfida reale politike, sepse kur mungojnë argumentet, mbetet vetëm sharja. Dhe, e dyta humbje e kontrollit mbi diskursin publik, sepse liderët që dikur thirreshin si “bashkues” sot flasin si ndarës dhe fyes.
Politika shqiptare ka nevojë për ide, vizion dhe guxim për reforma jo për etiketime që degradojnë debatin. Të quash “zagarë” liderët e një blloku politik që përfaqësojnë 107 mijë vota të pastra shqiptare nuk është vetëm një shprehje arrogante, por edhe një sinjal se në vend të përballjes me program dhe transparencë, po përdoret një gjuhë përçmuese që synon dehumanizimin e kundërshtarit.
Prandaj, Ahmeti sot nuk i ngjan një udhëheqësi, por një personi të lodhur nga koha, të mundur nga realiteti, që në vend se të largohet me dinjitet, zgjedh të fundoset në gjuhën e sharjeve. Dhe ky është fundi më i keq që mund t’i ndodhë një lideri të harrohet shpejtë e lehtë për punë të pakta që ka bë, e të mbahet mend vetëm për fyerjet.
Ali Ahmeti ka hyrë tashmë në kapitullin e fundit të tij politik. Dhe ky kapitull nuk do të shkruhet me lavdi, por me një fjalor që e shndërroi nga lider në karikaturë.
Mbajeni në mend, fundi i tij nuk po vjen nga armiqtë e as nga kundërshtarët e tij politik por nga vetvetja.