Pas publikimit të fotografive që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, të cilat pretendojnë për një takim mes përfaqësuesve të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) dhe partisë Levica në Tetovë, kanë shpërthyer reagime të ndryshme dhe në shumë aspekte kontradiktore nga vetë protagonistët e përfshirë.
Bajram Rexhepi justifikohet por!
Kandidati për kryetar komune nga AKI, Bajram Rexhepi, dy ditë më parë reagoi duke e cilësuar ngjarjen si “aktivitet elektoral të rregullt” me gra intelektuale dhe aktiviste të Forumit të Gruas të AKI-së. Në reagimin e tij publik, Rexhepi theksoi se takimi ishte zhvilluar publikisht, në një kafene në qendër të Tetovës.
“Fotografitë janë keqinterpretuar me qëllime propagandistike dhe shpifëse. Nuk ka pasur takim me struktura të Levicës dhe as ndonjë marrëveshje të fshehtë. Çdo insinuatë është e pavërtetë dhe dashakeqe”, shkroi Rexhepi.
Megjithatë, ajo që ka ngritur më shumë pikëpyetje është fakti se në asnjë moment Rexhepi nuk sqaron kush ishin personat e pranishëm në tavolinë, përfshirë gruan që shumëkush në rrjetet sociale e ka identifikuar si kandidaten e Levicës, Katka Bozhinovska.
Në vend të një shpjegimi konkret, ai ka zgjedhur ta paraqes ngjarjen si “keqinterpretime propagandistike”, që sipas shumë njohësve të opinionit publik, tingëllon më shumë si mbrojtje politike sesa sqarim faktik.
Bozhinovska nuk mohon, ajo thumbon..
Ndërkohë, vetë Katka Bozhinovska reagoi në mënyrë krejt të kundërt. Në një status të saj në Facebook, ajo nuk e mohoi takimin, përkundrazi, e shfrytëzoi momentin për sulme politike ndaj koalicioneve tjera, duke e quajtur Tetovën dhe gjithë Maqedoninë Perëndimore “pazar politik”.
“Ne nuk i bëjmë pazaret në fshehtësi si ata, unë nuk kam frikë nga insinuatat dhe akuzat”, shkroi Bozhinovska,
Ky qëndrim kontradiktor mes dy kandidatëve njëri që mohon ekzistencën e takimit dhe tjetra që e legjitimon me retorikë politike ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik.
Shumë analistë e lexojnë këtë si simptomë të bashkëpunimi të heshtur mes strukturave të AKI-së dhe Levicës, një lidhje e pazakontë midis dy subjekteve, por me një qëllim të përbashkët për pushtetit me çdo kusht.
Në këtë kontekst, situata në Tetovë po shihet si test politik për AKI-në, e cila pas humbjes së thellë në rrethin e parë kërkon rrugë alternative për mbijetesë politike. Bajram Rexhepi në rrethin e dytë hyn me disavantazh të madh, ndryshe nga Bilall Kasami i VLEN-it, i cili garon në pozicion komod dhe me mbështetje të gjerë qytetare.







