Një aksident i rëndë trafiku, në të cilin humbën jetën dy persona ndërsa një tjetër mbeti rëndë i plagosur, ka ndodhur në autostradën Beograd–Nish, në afërsi të nyjës Umçari.
Siç është raportuar më herët, aksidenti ka ndodhur pasi automjeti ka dalë nga autostrada, është përplasur me gardhin mbrojtës metalik dhe më pas me një shtyllë reflektuese. Dy persona, një burrë dhe një grua (shoferi dhe bashkudhëtarja), janë shpallur të vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa pasagjeri tjetër është dërguar në Qendrën Urgjente me lëndime të rënda.
Ata udhëtonin me një automjet të tipit “Seat” me targa gjermane dhe janë shtetas të Maqedonisë, me prejardhje shqiptare. Sipas dyshimeve, ata po ktheheshin nga Gjermania për pushime në Maqedoni, raporton Pink.rs.
Shkaku i aksidentit do të përcaktohet gjatë hetimeve. Sipas supozimeve fillestare, ekziston mundësia që shoferi të ketë fjetur nga lodhja, çka ka çuar në daljen e automjetit nga rruga.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë ekipet e policisë rrugore, autoambulanca dhe zjarrfikësit–shpëtimtarë, të cilët nga automjeti i dëmtuar rëndë kanë nxjerrë personin e plagosur dhe trupat e dy viktimave.

