Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një vit historik gjatë 2025-ës, duke regjistruar rezultate rekord në përpunimin e lëndëve administrative dhe përmirësimin e shërbimeve publike, shkruan Fol
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë përpunuar mbi 1.040.000 lëndë, ndërsa të gjitha kërkesat aktuale janë trajtuar brenda afateve ligjore, duke eliminuar plotësisht lëndët e prapambetura.
Ndër arritjet kryesore veçohen:
• 96,4% e ankesave të trajtuara me sukses
• 99,6% e lëndëve të zgjidhura në regjistrin grafik të tokës ndërtimore
• 100% përgjigje për kërkesat e dorëzuara përmes platformës e-Qeveri
• Ulje prej 47,4% e lëndëve të pazgjidhura
• Rritje prej 8% e numrit të lëndëve të pranuara krahasuar me vitin 2024
Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Kadastrës, Amet Ziberi, vlerësoi se këto rezultate janë tregues i qartë i funksionimit të qeverisjes së mirë të VLEN-it, menaxhimit profesional dhe reformave të qëndrueshme të zbatuara në institucion.
“Përmirësimi i organizimit të brendshëm, forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe digjitalizimi i shërbimeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit dhe transparencës,” theksoi Ziberi.
Agjencia e Kadastrës, sipas tij, do të vazhdojë me investime në digjitalizim, modernizim të shërbimeve dhe rritje të transparencës, duke e vendosur qytetarin dhe subjektet juridike në qendër të çdo procesi administrativ./Fol.mk/




