Këshilltari i VLEN-it në Komunën e Vrapçishtit, përmes një reagimi publik pas rezultatit të zgjedhjeve në Bërvenicë, ka komentuar fitoren e kandidatit shqiptar Arkin Jahiji, duke e cilësuar atë si dëshmi të rëndësisë së bashkimit të votës shqiptare.
Ai ka kritikuar zhvillimet politike të një viti më parë, duke akuzuar disa subjekte dhe individë se, sipas tij, kishin vendosur interesat personale dhe pazaret politike mbi kauzën kombëtare.
„Ne mund të kemi bindje të ndryshme, por kombin nuk e shesim për pushtet!”, ka shkruar këshilltari i VLEN-it.
Në reagimin e tij, ai ka rikujtuar edhe zgjedhjet e vitit të kaluar, duke theksuar se përgjegjësia për atë që ndodhi në Bërvenicë tashmë është e qartë për qytetarët.
Në fund, ai ka uruar për fitoren dhe ka bërë thirrje që vëmendja të përqendrohet te puna, përkushtimi dhe rezultatet në shërbim të qytetarëve të Bërvenicës.

