Viti 2025 është mbyllur me rezultate konkrete dhe të matshme për sigurinë publike në rajonin e Tetovës, nën drejtimin e Kryeshefit të Policisë në Tetovë, Rijat Alii. Gjatë këtij viti, SPB Tetovë ka operuar në kushte të fluksit të shtuar të lëvizjes dhe ngarkesës sezonale, duke ruajtur stabilitetin e rendit dhe qetësisë publike në gjithë rajonin.
Sipas përmbledhjes zyrtare të punës vjetore, është rritur dukshëm prezenca policore në terren, veçanërisht në zonat urbane dhe akset kryesore rrugore. Kjo ka ndikuar në parandalimin e veprave penale, reagim më të shpejtë institucional dhe trajtim më efikas të rasteve të raportuara nga qytetarët.
Një ndër drejtimet kryesore të veprimit ka qenë lufta kundër krimit të organizuar, fajdesë dhe tregtisë me lëndë narkotike. Gjatë vitit 2025 janë realizuar disa aksione të suksesshme policore, të cilat kanë rezultuar me konfiskime të konsiderueshme dhe procedim penal të autorëve, duke rritur ndjeshëm efektivitetin e punës hetimore.
Në fushën e sigurisë rrugore, SPB Tetovë ka intensifikuar kontrollet dhe masat parandaluese, duke u fokusuar në shkeljet më të shpeshta si shpejtësia e tepruar dhe vozitja nën ndikimin e alkoolit. Paralelisht, është vërejtur rritje e raportimit të dhunës në familje, çka vlerësohet si tregues i besimit më të madh të qytetarëve në institucionet e rendit dhe funksionimin e mekanizmave mbrojtës.
Në aspektin organizativ dhe teknik, gjatë vitit 2025 janë ndërmarrë hapa konkretë në modernizimin e policisë, përmes instalimit të sistemeve të reja të monitorimit me kamera në pikat kyçe, përmirësimit të pajisjeve për njësitë e ndërhyrjes së shpejtë dhe avancimit të konceptit të “Policimit në Bashkësi”, me theks në zgjidhjen e problemeve në nivel lokal.
Gjithashtu, bashkëpunimi ndërinstitucional ka dhënë rezultate konkrete. Në koordinim me DPB Gostivar, janë përgatitur parashtresa penale për një numër të madh rastesh të zbardhura, të dorëzuara deri te prokuroritë kompetente në Tetovë dhe Gostivar, duke shënuar një nga nivelet më të larta të zbardhjes së rasteve në vitet e fundit.
Sipas vlerësimeve institucionale, këto rezultate kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj policisë dhe në forcimin e rolit të SPB Tetovë si faktor kyç i stabilitetit dhe sigurisë publike në rajon.

