Nga: Latif Arifi
Pse u sulmua ai që votoi, jo ai që u tërhoq nga fjala?
Shkrimi që vijon nuk është reagim emocional, por reflektim ndaj një modeli të përsëritur, linçimi i të drejtit për nevoja të politikës ditore dhe heshtja përballë mospërputhjes mes deklaratës publike dhe votës reale.
Rasti i Safe City vetëm sa e ekspozoi këtë mekanizëm.
Në politikën tonë, problemi nuk është mungesa e deklaratave për “mbrojtjen e jetës”, por teprica e tyre. Jemi bërë kampionë të fjalëve të mëdha dhe rekordmenë të votave të vogla. Rasti i Safe City është ilustrimi më i pastër i kësaj hipokrizie të organizuar.
Deputeti Ilir Hasani, traumatolog me profesion dhe deputet me mandat, doli publikisht dhe na shpjegoi me pathos se ky ligj është “jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe urgjent”, se çdo ditë vonesë përbën barrë morale dhe se pengohen masat për parandalimin e aksidenteve në trafik. Në emër të BDI-së, u sigurua se partia e tij “ka qenë dhe mbetet konstruktive”, sepse bëhet fjalë për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Fjalë të bukura. Madje shumë njerëz i besuan.
Por Kuvendi nuk funksionon me fjalime televizive. Ai funksionon me vota. Dhe kur erdhi momenti i votimit, ndodhi ajo që ndodh shpesh, BDI votoi kundër, ndërsa deputeti që na ligjëroi për barrën morale, e hoqi atë barrë nga fjalët dhe ia la shoqërisë me votë.
Nga ana tjetër, në të njëjtën sallë, ndodhi diçka shumë më e rrallë. Një deputet nuk foli paraprakisht, e as nuk shkroi statuse. Ilir Demiri thjesht votoi. Dhe votoi pro një ligji që synon parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Ironia është therëse:Ai që foli për jetën, votoi kundër saj, ndërsa ai që heshti, e mbrojti me votë.
Pikërisht për këtë arsye, Ilir Demiri u bë shënjestër e një linçimi politik të orkestruar nga media të njohura për afërsinë me BDI-në, nga militantë partiakë dhe nga struktura të dy Aleancave, asaj të Ziadin Selës dhe Taravarit, kryesisht përmes profileve të rreme në rrjete sociale.
Vota e tij u etiketua si “tradhti”, jo sepse ishte për Safe City, por sepse ishte jashtë vijës partiake.
Le ta themi qartë, kjo nuk ka të bëjë me ligjin. Kjo ka të bëjë me disiplinën e verbër politike.
Ilir Demiri, deri pak kohë më parë deputet i Frontit Europian nga radhët e ASH-së së Ziadin Selës, sot vepron si deputet i pavarur i Aleancës për Shqiptarët. Dhe pikërisht kjo pavarësi duket se është më e patolerueshme se çdo votë tjetër.
Situata bëhet edhe më ironike kur sulmohet një mjek i dëshmuar, i respektuar nga shqiptarët, i cili gjatë pandemisë COVID ka shpëtuar jetë pa pyetur për përkatësi etnike, partiake apo politike. Një njeri që jetën nuk e ka mbrojtur me deklarata, por me duar, ditë e net pa pushim.
Në këtë histori, askush nuk po kërkon heronj. Por është e domosdoshme të dallojmë mashtrimin nga përgjegjësia. Sepse politika e fjalës pa votë është mashtrim, ndërsa politika e votës pa zhurmë është shërbim publik.
Dhe nëse sot quhet “tradhtar” ai që voton për ligj që mbron jetë, ndërsa quhet “konstruktiv” ai që flet bukur e voton kundër, atëherë problemi nuk është Safe City.
Problemi është qyteti politik që kemi ndërtuar, ku fjalët janë të lira, por ndërgjegjja ka çmim.

