Lajm i hidhur për sportin shqiptar, është ndarë nga jeta, në kohën më të mirë, gazetari i mirënjohur i sportit, Sami Ademi. Ndër vite, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm për sportin në përgjithësi, duke u shquar si gazetar dhe komentator i nivelit të lartë.
Vdekja e tij ka tronditur komunitetin sportiv shqiptar, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut. Nuk kishin kaluar as dy javë që zëri i tij karakteristik dëgjohej në televizionin e Maqedonisë së Veriut, në MRT 2. Ai komentonte me profesionalizëm të lartë ndeshjet e futbollit, por edhe të sporteve të tjera, duke u bërë një nga emrat më të respektuar të gazetarisë sportive.
Sami Ademi ishte gjithashtu një mbështetje e madhe për gazetarët e rinj, të cilëve u jepte këshilla se si të vepronin në situata të ndryshme në gazetarinë sportive. Ai ishte një zë i fuqishëm dhe i respektuar i kësaj fushe. Ikja e tij e hershme është një humbje e madhe për gazetarinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe kudo ku jetojnë e veprojnë shqiptarët.
E donte shumë Kosovën dhe gëzohej për çdo sukses të saj. Samiu la gjurmë të thella si gazetar sportiv dhe do të kujtohet përherë për profesionalizmin dhe virtytet e tij, që e bënin një figurë të veçantë dhe të respektuar kudo.

