Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë – Sektori për Luftë Kundër Terrorizmit i dorëzoi Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PP GOKK) kallëzim penal kundër një 20-vjeçari nga Reçica e Vogël për veprën penale “Terrorizëm”. Gjithashtu, Prokurorisë Publike në Tetovë i është dorëzuar kallëzim penal kundër një 89-vjeçari për veprën penale “Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregti e paautorizuar me armë ose lëndë shpërthyese”.
I dyshuari K.H. (20), në fund të muajit janar të këtij viti, përmes aplikacionit social “Discord”, kishte dërguar një kërcënim serioz se ishte i gatshëm të kryente sulm me armë zjarri – pushkë automatike AK-47, e njohur si Kallashnikov, duke theksuar se kishte gjendje të çrregulluar psikike. Frymëzim për një sulm të tillë, sipas tij, kishte qenë ngjarja e 14.12.2012 në SHBA, kur Adam Lanza, 20 vjeç, në një shkollë vrau 26 persona, prej tyre 20 fëmijë.
Pas informacioneve të marra nga Ambasada e SHBA-së në Shkup se nga ana e FBI-së ishte paraqitur kërkesë për zbulimin urgjent të profilit në “Discord” që ndodhej në vendin tonë, nga i cili ishin dërguar kërcënimet serioze, Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me PP GOKK ndërmori veprime për zbulimin e autorit.
Pas identifikimit dhe lokalizimit të adresës së përdoruesit, më 17.02.2026, zyrtarë policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë – Sektori për Luftë Kundër Terrorizmit, me asistencën e Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigër” dhe në koordinim me PP GOKK, kryen kontrolle në shtëpi dhe ambiente të tjera në një lokacion në Reçicë të Vogël, rajoni i Tetovës.
Gjatë kontrolleve te K.H. dhe te anëtarë të familjes së tij të ngushtë u gjetën dhe u sekuestruan disa sende që përbëjnë objekt të veprës penale, përfshirë: armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, një pushkë automatike AK-47 me dy karikatorë me 40 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, një pistoletë “M57” me dy karikatorë me 49 fishekë, një pistoletë “CHEROKEE” me dy karikatorë dhe më shumë se 600 fishekë 9 mm, jelekë taktikë, jelekë antiplumb (pancirë), thika me gjatësi të ndryshme tehe dhe materiale të ndryshme elektronike si prova.
Dy persona janë privuar nga liria. Kundër K.H. është paraqitur kallëzim penal në PP GOKK për veprën penale “Terrorizëm” sipas nenit 394-b paragrafi 2 të Kodit Penal, ndërsa kundër Xh.H. është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike në Tetovë për veprën penale “Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregti e paautorizuar me armë dhe lëndë shpërthyese” sipas nenit 396 të Kodit Penal.






