Integrimi evropian, lufta kundër krimit të organizuar dhe menaxhimi i forcuar i kufijve ishin në fokus të takimit të sotëm të punës në Shkup mes ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkoski, dhe Komisionerit të Punëve të Brendshme dhe Migrimit të Bashkimit Evropian, Magnus Bruner.
Në takim, siç informojnë nga MPB-ja, u konfirmua angazhimi i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj procesit të integrimit evropian dhe harmonizimit të mëtejshëm me standardet evropiane në fushat e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë.
“Në takim, ministri Toshkovski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të ekspertëve dhe asaj financiare të Bashkimit Evropian, duke theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet një partner i besueshëm i cili kontribuon në mënyrë aktive për sigurinë e Bashkimit përmes realizimit të projekteve, reformave, harmonizimit të legjislacionit kombëtar me të drejtën e BE-së dhe zbatimit të masave të Agjendës e Reformave”, njoftoi MPB.
Në takim u konkludua se partneriteti me institucionet e Bashkimit Evropian luan një rol kryesor në promovimin e sigurisë kombëtare dhe evropiane, dhe u shpreh gatishmëri e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në periudhën e ardhshme.

