Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërkoi dorëzimin pa kushte të Iranit. Në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror, Pezeshkian e quajti këtë kërkesë “një ëndërr që ata duhet ta marrin me vete në varr”.
Ai theksoi se Irani nuk do të dorëzohet dhe se vendi do të qëndrojë i vendosur deri në fund. Presidenti iranian u bëri thirrje qytetarëve që të lënë mënjanë përçarjet e brendshme dhe të bashkohen në mbrojtje të vendit.
Pezeshkian shtoi se Teherani nuk ka për qëllim të sulmojë vendet fqinje, duke theksuar se sulmet do të ndërmerren vetëm në rast se Irani sulmohet nga territori i tyre.
Ai gjithashtu u kërkoi falje shteteve fqinje për çdo dëm të mundshëm të shkaktuar nga sulmet e ditëve të fundit dhe u bëri thirrje vendeve të rajonit të mos bëhen “mjete” të Izraelit apo Shteteve të Bashkuara, por të kërkojnë zgjidhje përmes diplomacisë.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se vetëm dorëzimi i Iranit mund t’i japë fund sulmeve që, sipas tij, kanë nisur rreth një javë më parë, duke rritur tensionet në rajon.

