Kryetari i Kuvendit ka uruar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe Shkollës Shqipe, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen për të gjithë mësimdhënësit që me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë kontribuojnë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Në mesazhin e urimit theksohet se kjo ditë simbolizon jo vetëm fillimin e një kapitulli të rëndësishëm në historinë e arsimit shqip, por edhe vlerësimin për misionin fisnik të mësimdhënësve.
“Shkolla dhe mësuesit kanë qenë gjithmonë shtylla të rëndësishme të ruajtjes së gjuhës, identitetit dhe kulturës, duke mbjellë te brezat e rinj dashurinë për dijen, përgjegjësinë qytetare dhe vlerat demokratike. Prandaj, në emër të Kuvendit dhe në emrin tim personal, shpreh falënderimin dhe vlerësimin tim për të gjithë mësuesit dhe punonjësit e arsimit për kontributin e tyre të çmuar në formimin e së ardhmes së vendit, ndërsa njëkohësisht rikonfirmoj angazhimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme të procesit arsimor. Urime të përzemërta për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe Shkollës Shqipe!”, thuhet në shkrimin e kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi.

