Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, realizoi sot një vizitë pune në Komunën e Zhelinës, ku theksoi angazhimin e fuqishëm të Qeverisë për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe rritjen e punësimit në nivel lokal.
Gjatë takimit me kryetarin e komunës, Blerim Sejdiu, u diskutua për gjendjen aktuale ekonomike, projektet infrastrukturore dhe masat konkrete që Ministria po zbaton për përkrahjen e bizneseve dhe qytetarëve.
Duke vizituar disa nga bizneset e suksesshme në Zhelinë, ministri Durmishi theksoi se përmes Ligjit për mbështetje të investimeve dhe instrumenteve të tjera institucionale, po krijohen kushte të favorshme për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Masat tona nuk mbeten vetëm në letër – ato po arrijnë drejtpërdrejt te qytetarët dhe bizneset,” deklaroi ministri Durmishi, duke shtuar se përmes Planit Operativ 2025 është mundësuar vetëpunësimi i mijëra qytetarëve.
Sipas tij, vetëm në Komunën e Zhelinës janë ndarë rreth 20 grante për biznese dhe individë, përfshirë mbështetje për vetëpunësim dhe subvencionim të pagave.
Ministri Durmishi njoftoi gjithashtu se Plani Operativ për Punësim për vitin 2026 parashikon një buxhet prej rreth 40 milionë euro, që synon zgjerimin e masave aktive të punësimit dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët.
Ai theksoi se Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë të qëndrojë pranë bizneseve dhe qytetarëve, duke zbatuar politika që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies dhe klimës ekonomike në vend.

