Një nxënës i klasës së shtatë në Manastir ka publikuar në rrjetin social TikTok një listë me emra dhe mbiemra të bashkëmoshatarëve të tij, duke kërcënuar se do t’i “likuidojë”. Në publikim ishte shënuar edhe data e saktë, shkruan 4News.mk, përcjell tetova1
Drejtori i shkollës fillore SHF “Stiv Naumov”, në prononcim për mediumin 4news.mk, ka deklaruar se është mbajtur takim me prindërit dhe se për rastin janë njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qendra për Punë Sociale. Ai konfirmoi se incidenti ka ndodhur jashtë ambienteve të shkollës.
“Në kuadër të kompetencave tona, shkolla ndërmori masa përkatëse për mbrojtjen dhe mbështetjen e nxënësve, si dhe aktivitete për qetësimin e situatës dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë nxënësit dhe të punësuarit. Apelojmë tek opinioni që të përmbahet nga shpërndarja e informatave të pakonfirmuara dhe të respektojë privatësinë dhe dinjitetin e të gjithë personave të përfshirë, veçanërisht pasi bëhet fjalë për të mitur. Siguria dhe mirëqenia e nxënësve mbetet prioriteti ynë më i lartë dhe shkolla do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet kompetente deri në zbardhjen e plotë të rastit”, theksoi drejtori Nikole Piskaçev.
Edhe pse përmbajtjet nuk janë publikuar brenda shkollës apo gjatë procesit mësimor, pas ankesës së dorëzuar nga një grup prindërish në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, shkolla ka njoftuar menjëherë institucionet kompetente – Ministrinë e Punëve të Brendshme, Qendrën për Punë Sociale dhe sektorin komunal të arsimit në Manastir, me qëllim hetimin e plotë të rastit dhe veprimin institucional të mëtejshëm, raportoi 4news.mk.
Sipas raportimeve, prindërit e nxënësit kanë paralajmëruar se do ta transferojnë fëmijën në një shkollë tjetër.
Rasti ka rikthyer kujtimet e tragjedisë së ndodhur para tre vitesh në Beograd, kur 13-vjeçari Kosta K., me një listë emrash në dorë, hyri në shkollë dhe vrau disa bashkëmoshatarë dhe rojën e shkollës./tetova1.mk/

