Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nuk ka hapësirë për rritje dramatike të çmimeve të barnave me recetë, pas debatit të hapur në Europë për rregullat e reja që lidhen me mbrojtjen e ujërave nga mbetjet farmaceutike.
Sipas modelit të propozuar në Bashkimin Europian, industria farmaceutike do të duhet të mbulojë rreth 80 për qind të kostove për trajtimin e ndotjes nga mbetjet e ilaçeve. Prodhuesit paralajmërojnë se kjo mund të sjellë shtrenjtim të barnave dhe të ndikojë sidomos te pacientët kronikë.
Nga Ministria theksojnë se çmimet e barnave që jepen me recetë janë të rregulluara dhe të përcaktuara me sistem referent, ndaj nuk ekziston mundësi për rritje të pakontrolluar të tyre.
“Çdo rritje e çmimit të një bari me recetë duhet të miratohet nga shteti. Gjithashtu, nuk ekziston rrezik për mungesë të konsiderueshme të terapive kronike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga ana tjetër, kompanitë farmaceutike paralajmërojnë se më të goditurat mund të jenë barnat që përdoren nga pacientët kronikë. Si shembull përmendet një ilaç për diabetin, për të cilin vlerësohet se çmimi mund të rritet deri në 800 për qind për një kuti.
Industria paralajmëron gjithashtu se disa barna mund të tërhiqen nga tregu për shkak të mosfitimprurjes, ndërsa shkencëtarët rikujtojnë se ndotja farmaceutike nuk është vetëm problem ekologjik, por edhe rrezik serioz për shëndetin publik, pasi mund të ndikojë në rritjen e rezistencës së baktereve ndaj antibiotikëve. përcjell Zhurnal.mk .

