8 C
Tetovo
E premte, 15 Maj, 2026
BallinaLajmeMaqedoniDurmishi: Me masat e reja, sigurojmë mbështetje të drejtpërdrejtë për bizneset e...

Durmishi: Me masat e reja, sigurojmë mbështetje të drejtpërdrejtë për bizneset e vogla, zejtarët dhe industrinë përpunuese

Ministria e Ekonomisë dhe Punës shpalli sot Thirrjen publike për mbështetje financiare të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme dhe zejtarët, në kuadër të Programit për Zhvillimit e Sipërmarrësisë dhe Konkurrueshmërisë për vitin 2026.

Për realizimin e kësaj mase, janë siguruar 11,34 milion denarë, e mbështetja do të realizohet përmes bashkëfinancimit të 40 për qind të kostove të dëshmuara për prokurimin e makinave dhe veglave të reja, por jo më shumë se 200 mijë denarë për kërkues.

“Me këtë masë, ndihmojmë drejtpërdrejt kompanitë dhe zejtarët vendorë për të investuar në modernizimin, pajisjet e reja dhe rritjen e produktivitetit. Qëllimi ynë është të krijojmë ekonomi më konkurruese vendore dhe të sigurojmë mbështetje reale për bizneset e vogla, të cilat janë shtytëse të rritjes ekonomike”, njoftoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Të drejtë për të marrë pjesë në thirrjen publike e kanë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme me kapital shumicë vendorë, si dhe zejtarët e regjistruar në përputhje me Ligjin për zejtari.

Mbështetja ka të bëjë me kostot e bëra gjatë viteve 2025 dhe 2026, ndërsa të gjithë aplikantët që do t’i plotësojnë kushtet e përcaktuara në thirrjen publike do të përfshihen me masën.

Ministria e Ekonomisë dhe Punës paralajmëroi edhe dy thirrje të reja publike në kuadër të Programit për Mbështetjen e Industrisë Përpunuese dhe Përgjegjësisë Shoqërore për vitin 2026.

Thirrja e parë i referohet kompensimit të një pjese të kostove për vendosjen dhe certifikimin e standardeve në industrinë përpunuese, për të cilat janë siguruar 2 milion denarë. Kompanitë do të mund të marrin bashkëfinancim deri në 70 për qind të kostove, por jo më shumë se 200 mijë denarë.

“Përmes vendosjes së standardeve ndërkombëtare, ne po ndihmojmë kompanitë të pozicionohen më lehtë në tregjet e huaja, të rrisin konkurrueshmërinë dhe të bëhen pjesë e zinxhirëve globalë të furnizuesve,” theksoi Durmishi.

Thirrja e dytë publike është dedikuar të forcojë bashkëpunimin midis kompanive nga industria përpunuese dhe universiteteve përmes realizimit të projekteve të përbashkëta. Për këtë masë janë parashikuar 5 milionë denarë, ndërsa bashkëfinancimi do të arrijë deri në 70 për qind të kostove, por jo më shumë se 500 mijë denarë për projekt.

“Investimi në dije, kërkim, inovacione dhe bashkëpunim midis biznesit dhe akademisë është kyç për zhvillimin teknologjik, tranzicionin e gjelbër dhe digjital dhe krijimin e produkteve me vlerë më të lartë të shtuar”, njoftoi ministri Durmishi.

Të gjitha detajet për thirrjet publike, kushtet dhe dokumentacionin e nevojshëm do të publikohen në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.

Afati i fundit i aplikimit për thirrjen publike për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe zejtarët është 30 qershor të vitit 2026.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments