8 C
Tetovo
E diel, 14 Qershor, 2026
BallinaLajmeBaba Vangja i politikës shqiptare. Murtezani ironizon deklaratat e Ahmetit!

Baba Vangja i politikës shqiptare. Murtezani ironizon deklaratat e Ahmetit!

Zëvendëssekretari i Qeverisë, Hasim Murtezani, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, të bëra në tubimin e mbrëmshëm në Zhelinë.
Sipas Murtezanit, Ahmeti u shfaq në rolin e “Babë Vangjës”, duke parashikuar zgjedhje të afërta dhe rikthimin e BDI-së në pushtet.

“Ali Ahmeti mbrëmë në Zhelinë u shfaq në rolin e Babë Vangjës: sot, nesër, pasnesër do të ketë zgjedhje, në pranverë ose në vjeshtë, e BDI-ja do të rikthehet në pushtet. E njëjta narrativë që përsëritet sa herë një parti i afrohet fundit politik”, shprehet Murtezani.

Ai iu referua edhe kritikave të Ahmetit ndaj koalicionit VLEN, duke thënë se akuzat për heshtje janë të pabaza kur vijnë nga një politikan që, sipas tij, për më shumë se dy dekada ka qenë pjesë e pushtetit.
Murtezani kujton se gjatë qeverisjes së BDI-së ndodhën një sërë ngjarjesh dhe procesesh që, sipas tij, dëmtuan interesat e shqiptarëve, përfshirë Enciklopedinë e kontestuar, projektin “Shkupi 2014”, rastet Sopoti, Brodeci, Alfa, Monstra, Harun Aliu dhe Kumanova, si dhe incidente të tjera që prekën qytetarët shqiptarë.
“Përgjegjësia politike për këto ngjarje bie mbi pushtetin e asaj kohe, ku BDI ishte pjesë përbërëse dhe Ali Ahmeti ishte figura kryesore politike shqiptare. Prandaj, para se të akuzojë të tjerët për heshtje, Ali Ahmeti duhet të japë llogari për heshtjen e tij kur shqiptarët kërkonin zë, mbështetje dhe drejtësi”, thekson Murtezani.
Në fund, ai vlerëson se përgjegjësia politike nuk mund të zëvendësohet me retorikë opozitare.
“Trimëria nuk matet me fjalime nga opozita dhe as me parashikime zgjedhjesh. Trimëria matet me gatishmërinë për të mbrojtur qytetarët kur je në pushtet. Përndryshe, mbeten vetëm fjalët, ndërsa përgjegjësia politike nuk mund të fshihet pas miteve të ndërtuara për dekada”, përfundon reagimi i Murtezanit.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments