Feti Abazi, kryetar i komunës së Bogovinës dhe Shaban Allajbegu, drejtor i Byrosë për Zhvillim Rajonal, kanë inspektuar sot rrugën lokale të përfunduar, në fshatin Kamjan.
Të dy akterët, kanë konstatuar se ky projekt i bashkëfinancuar nga Komuna dhe BRZH, i plotëson të gjitha standardet e cilësisë në ndërtim.
Postimi i plotë nga Abazi, në Facebook:
“Inspektuam projektin e përfunduar të rrugës lokale në Kamjan!
Sot, së bashku me Drejtorin e Byrosë për Zhvillim Rajonal, Shaban Allajbegu, vizituam projektin e rrugës lokale në Kamjan, i bashkëfinancuar nga Byroja për Zhvillim Rajonal dhe Komuna e Bogovinës.
Në kuadër të këtij projekti është ndërtuar një rrugë me gjatësi 508 metra dhe gjerësi 4.5 metra, duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe qarkullimin për banorët e kësaj zone.
Gjatë vizitës konstatuam se projekti është realizuar me sukses, sipas dinamikës së paraparë dhe në përputhje me të gjitha standardet e cilësisë në ndërtim.
Falënderoj Byronë për Zhvillim Rajonal për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Së bashku po realizojmë projekte konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe zhvillojnë Komunën e Bogovinës”, ka shkruar, ai.

