Një ekip mobil i Drejtorisë së Doganave ka parandaluar tentimin për kontrabandim të rreth 2 mijë ampulave me tretësirë mjekësore “Gadovist”, të cilat një shtetas i Kosovës, shofer i një kamioni, tentonte t’i fshihte në kabinën e automjetit.
Sipas njoftimit të Doganës, shoferi, i punësuar në një kompani transporti nga Kosova, po transportonte profile alumini nga Turqia drejt Kosovës. Ai është ndaluar për kontroll nga ekipi mobil në pikën kufitare Deve Bair. Në pyetjen nëse kishte diçka për të deklaruar përveç mallrave të paraqitura, ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë tjetër.
Pas dyshimeve, është kryer kontroll i detajuar, ku janë gjetur gjithsej 2 mijë ampula me tretësirë “Gadovist 7.5 ml”, të fshehura në pjesë të ndryshme të kabinës së kamionit – në shtratin e sipërm, në hapësirat e brendshme të automjetit, mbi ulësen e shoferit dhe në bagazhin personal.
Nga Dogana bëjnë të ditur se preparatet janë sekuestruar, ndërsa ndaj personit është ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandim”, e dënueshme sipas Kodit Penal.

