Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e krijuar në sistemin e furnizimit me ujë në Gostivar, duke drejtuar akuza ndaj ish-kryetarit të komunës, Arben Taravari.
Sipas Azizit, projekti për investimet në rrjetin e ujësjellësit, i promovuar gjatë mandatit të Taravarit, nuk ka dhënë rezultatet e premtuara, ndërsa ai e cilësoi atë si një projekt që ka përfunduar në “katastrofë humanitare”.
“Nëse deklarata të tilla do t’i kishte bërë Bilall Kasami dhe një ngjarje e ngjashme do të kishte ndodhur në Tetovë, të njëjtët njerëz do ta shpallnin menjëherë katastrofë, do të kërkonin dorëheqje dhe përgjegjësi penale”, shkruan Azizi.
Ai thekson se projekti ishte promovuar nga Arben Taravari me premtimin se do të përfundonte në vitin 2022, ndërsa shton se, sipas tij, në vend të një zgjidhjeje të qëndrueshme për furnizimin me ujë, Gostivari po përballet me një situatë që kërkon zbardhjen e plotë të përgjegjësive.
“Përgjegjësia politike nuk mund të fshihet dhe as të transferohet”, thuhet në reagimin e deputetit të VLEN-it.
Postimit, Azizi i ka bashkëngjitur edhe një video të Arben Taravarit, në të cilën ish-kryetari i Gostivarit flet për investimet e planifikuara në rrjetin e ujësjellësit dhe premton përmirësimin e furnizimit me ujë në qytet.
Taravari nuk ka reaguar ende ndaj këtyre akuzave.

