8 C
Tetovo
E enjte, 23 Korrik, 2026
BallinaLajmeMaqedoniA kanë filluar shoferët e papërgjegjshëm ta mashtrojnë sistemin “Safe City”?

A kanë filluar shoferët e papërgjegjshëm ta mashtrojnë sistemin “Safe City”?

Në vend që të mësojnë të ngasin automjetin në mënyrë të sigurt, një pjesë e shoferëve, ata të papërgjegjshmit, kanë mësuar vetëm se ku janë vendosur kamerat e sistemit “Safe City”. Prandaj, para kamerave sillen si shoferë shembullorë, ndërsa sapo dalin jashtë fushës së tyre të regjistrimit, kthehen te zakonet e vjetra dhe nënvlerësimi i rrezikut.

Në këto segmente rrugore shoferët shpesh e rrisin shpejtësinë, ndërsa ngadalësojnë vetëm kur afrohen te kamerat, duke menduar se e kanë mashtruar sistemin “Safe City”. Në realitet, ata rrezikojnë veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.

Për raste të tilla dëshmojnë çdo ditë edhe qytetarët, të cilët thonë se kultura në komunikacion respektohet vetëm aty ku ka kamera “Safe City”. Ata kërkojnë vendosjen e kamerave në më shumë rrugë dhe segmente, si dhe regjistrimin edhe të motoristëve.

“Duhet të ketë edhe më shumë kamera, jo vetëm në qytete, por edhe nëpër fshatra, sepse edhe atje vozitet në mënyrë të rrezikshme. Të gjitha rrugët duhet të mbulohen nga sistemi ‘Safe City’. Ka shumë shoferë të papërgjegjshëm.”

“Nuk mund të ketë kamera në çdo vend. Në rrugën tonë, në Gjorçe Petrov, motorët bëjnë zhurmë çdo mbrëmje.”

Nga Ministria e Punëve të Brendshme për Kanal 5 thonë se po vazhdojnë me zbatimin e projektit “Safe City” në të gjithë vendin. Ndërkohë, ata theksojnë se janë shtuar edhe kontrollet policore për ta bërë komunikacionin më të sigurt. Të ashtuquajturit automjete interceptuese tashmë janë në funksion dhe po identifikojnë shoferët që lëvizin me shpejtësi të madhe në autostrada. Gjithashtu, në fazën përfundimtare janë edhe automjetet e specializuara që do të regjistrojnë automjetet e parkuara në mënyrë të kundërligjshme.

“Çdo shkelje që rrezikon jetën dhe sigurinë e qytetarëve do të sanksionohet. Përveç kontrolleve të rregullta të komunikacionit, në terren janë angazhuar edhe automjete të specializuara policore, të ashtuquajturit interceptues, të cilët zbulojnë dhe ndëshkojnë shoferët që tejkalojnë shpejtësinë ose kryejnë shkelje të tjera të rrezikshme. Qëllimi ynë nuk është të dënojmë, por të parandalojmë aksidentet dhe të shpëtojmë jetë njerëzish,” thonë nga MPB.

Edhe pse shumica e shoferëve janë më të kujdesshëm gjatë dimrit, statistikat tregojnë se muajt e verës janë shumë më të rrezikshëm. Udhëtimet e gjata, përqendrimi i ulur për shkak të vapës, relaksimi dhe fluksi më i madh i automjeteve rrisin rrezikun.

Prandaj, edhe Këshilli Republikan për Sigurinë në Komunikacion apelon që qytetarët të respektojnë rregullat e komunikacionit, të vozisin të pushuar dhe të informohen për gjendjen në rrugë.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments