8 C
Tetovo
E enjte, 3 Shtator, 2026
BallinaLajmeMaqedoniDurmishi: Me mbështetje financiare nxisim investimet dhe konkurrueshmërinë e kompanive vendore

Durmishi: Me mbështetje financiare nxisim investimet dhe konkurrueshmërinë e kompanive vendore

Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi vizitoi sot kompanitë “Vitalia Nikolla”, “Polijesterdej”, dhe “BB Kontinental Metal”, përdorues të mbështetjes financiare në përputhje me Ligjin për Mbështetjen Financiare të Investimeve.
Vizita është pjesë e aktiviteteve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për monitorimin e realizimit të investimeve dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me kompanitë që përdorin mbështetjen shtetërore për zhvillimin dhe avancimin e funksionimit të tyre.
“Ligji për Mbështetjen Financiare të Investimeve është një nga instrumentet kryesore përmes të cilit shteti mbështet kompanitë që investojnë, rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë, dhe krijojnë vende të reja pune. Qëllimi ynë është që mbështetja publike të ketë efekt konkret dhe të matshëm në ekonomi – përmes prodhimit më të madh, teknologjive të reja, rritjes së eksportit dhe vendeve më të mira të punës”, theksoi ministri Durmishi.
Ndryshimet e Ligjit, të cilat zbatohen nga 1 janari i vitit 2026, përcaktojnë në mënyrë plotësuese kushtet për përdorimin e mbështetjes financiare. Mbështetja ka për qëllim investimet fillestare produktive në aktivitete prodhuese nga industria përpunuese, ndërsa si prag themelor është përcaktuar shuma prej të paktën 100.000 euro me kundërvlerë në denarë.
Ligji parashikon mbështetje financiare për disa kategori investimesh dhe aktivitetesh, duke përfshirë punësimet e reja, investimet kapitale, hulumtim dhe zhvillim, projekte investuese me interes të rëndësishëm ekonomik, si dhe aktivitete për rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive.
Në fushën e punësimeve të reja, masa parashikon mbështetje financiare deri në 20 për qind të pagës së paguar neto, respektivisht deri në 4.400 euro në vit për një të sapopunësuar. Për investimet kapitale, mbështetja mund të jetë deri në 10 për qind të kostove të justifikuara investuese, deri në shumën maksimale prej një milion euro në vit, derisa për për hulumtim dhe zhvillim është parashikuar mbështetje deri në 50 për qind të kostove të justifikuara, gjithashtu deri në një milion euro.
“Është veçanërisht e rëndësishme që në sistemin nuk është vendosur vetëm parimi i dhënies së mjeteve, por edhe i arritjes së rezultateve. Kompanitë duhet të realizojnë investim fillestar produktiv, të arrijnë rritje në totalin e të ardhurave nga funksionimi, ndërsa numri mesatar i të punësuarve nuk duhet të zvogëlohet për më shumë se pesë për qind në raport me gjendjen fillestare të përcaktuar me marrëveshjen”, bëri të ditur Durmishi.
Me ndryshimet e vitit 2026 forcohet në mëynrë plotësuese roli i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës në monitorimin e realizimit të marrëveshjeve. Ministria monitoron implementimin e marrëveshjeve të lidhura gjatë vlefshmërisë së tyre dhe për këtë përpilon raporte drejtuar Qeverisë. Në këtë mënyrë sigurohen kontrolli, llogaridhënia dhe efikasiteti më i madh në përdorimin e mjeteve publike.
“Sot jemi drejtpërdrejt te kompanitë për të parë se çfarë do të thotë kjo mbështetje në praktikë – çfarë investime janë realizuar, cilat rezultate janë arritur dhe cilat janë planet e tyre të ardhshme. Është e rëndësishme për ne të dëgjojmë kompanitë dhe nevojat e tyre, sepse vetëm përmes partneritetit midis shtetit dhe biznesit mund të krijojmë klimë më të mirë investuese dhe afariste”, shtoi ministri.
Durmishi theksoi se Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbeten të përkushtuara për krijimin e një sistemi të parashikueshëm, transparent dhe efikas për mbështetjen e investimeve, me kritere të qarta dhe efekte të matshme ekonomike.
“Duam që çdo denar mbështetje publike të shndërrohet në investim të ri, produktivitet më të madh dhe vlerë të re ekonomike. Kompanitë e forta dhe konkurruese vendore janë baza për ekonomi të fortë, eksport më të madh, më shumë vendeve cilësore të punës dhe standard më të lartë jetese për qytetarët”, konkludoi Durmishi.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments