Në periudhën përpara nesh, dy vendet tona do ta vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh, në interes të qytetarëve tanë, me theks të veçantë te projektet e përbashkëta infrastrukturore, të cilat na afrojnë si asnjëherë më parë, dhe në ndërtimin e të ardhmes evropiane për rajonin tonë. Institucionet stabile të ndërtuara mbi vullnetin e sovranit janë garancioni më i mirë për qeverisje të përgjegjshme, të guximshme dhe të vendosur për të ndërtuar shtetin mbi themele të fuqishme dhe të qëndrueshme.
Njëkohësisht, jemi pranë Republikës së Kosovës në këto momente me rëndësi historike, me mbështetje të plotë për luftën e pastër çlirimtare mbi të cilën u ngritën themelet e Republikës së pavarur. Historia njeh shumë raste kur ligji është përdorur për të marrë vendime kundërthënëse, por asnjë vendim i politizuar nuk mund ta fshijë një të vërtetë historike dhe asnjë autoritet nuk mund ta zhbëjë me një akt juridik atë që një popull e ka fituar me vetëmohim e sakrifica.

