Komunikacioni hekurudhor i udhëtarëve dhe ai i mallrave në Maqedoni tashmë ditën e shtatë tërësisht është i bllokuar për shkak të protestës së të punësuarve në ndërmarrjet në Hekurudhat e Maqedonisë, të cilët kërkojnë pagesë të rrogave të janarit.

Nga HM Transporti të martën paralajmëruan se deri në fund të muajit duhet të paguhet pjesa e parë e rrogës së janarit, ndërsa prej 10 marsit edhe pjesa e dytë, që është e papranueshme për të punësuarit të cilët kërkojnë pagesë të plotë të rrogave.

Gjoko Ilievski nga Këshilli nismëtar për zbatimin e protestës informoi se tre ditë nuk kanë informatë kthyese nga kryesia e HM Transporti, e as paralajmërim për takime dhe bisedime.

“Protesta do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesës për pagesë të rrogës së janarit. Për katër ditë përfundon muaji dhe nëse nuk ndryshon diçka, kërkesa do të jetë pagesë e dy rrogave, ndërkaq brengosëse është që në atë rast prej datës 1 të muajit të ardhshëm nuk do të kemi sigurim shëndetësor”, deklaroi sot Ilievski.

Qeveria në mbledhjen e së martës solli vendim që të transferohen plotësisht 70 milionë denarë përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve për nevojat e HM-së. Zëdhënësi qeveritar, Aleksandar Gjorgjev dje i bëri thirrje HM-së të vazhdojë me punë duke cekur se kështu do të mund t’i përmbushë mundësitë ligjore për t’u transferuar mjete shtesë dhe për t’u realizuar obligimet e kontraktuara që i ka me komitentët e vet.

Nga Qeveria dje nuk e konfirmuan informatën për dorëheqje të drejtorit të përgjithshëm të HM Transportit, Nikolla Kostov. Zëdhënësi Gjorgjev në përgjigje të pyetjes së gazetarëve tha se kanë ndjenjë se ka tentim për politizim të mbuluar dhe përzierje të forcave politike në suaza të gjendjes aktuale. “Kemi informata se një numër i vogël i të punësuarve e pengojnë punën e 3.000 personave të cilët janë të punësuar në hekurudhë dhe kjo duhet të ndërpritet. Duhet njerëzit të punojnë në mënyrë që ta marrin mbështetjen plotësuese dhe në mënyrë që të mund t’i kryejnë obligimet e veta ndaj komitentëve, të realizojnë të ardhura shtesë dhe të mos shkaktojnë dëm në punën e tyre për shkak të mospërmbushjes eventuale të obligimeve të kontraktuara”, deklaroi Gjorgjev.